“Amnesty International” akuzon Izraelin për keqtrajtimin e palestinezëve
2024-07-20 11:32:08

Gaza (Foto RTSH)

Gaza (Foto RTSH)

Organizata për të drejtat e njeriut “Amnesty International” ka akuzuar Izraelin për keqtrajtim dhe torturim të të burgosurve palestinezë, shkruan “ATSH”.

“Sipas Ligjit për Luftëtarët e Paligjshëm, Izraeli i ndalon në mënyrë sistematike palestinezët. Të burgosurve u mohohet qasja në avokatë ose kontakte me familjet e tyre”,- bëri të ditur “Amnesty International”.

Raporti, i bazuar në intervistat me 27 palestinezë, duke përfshirë pesë gra dhe një djalë 14-vjeçar, përfshin pretendime për torturë, zhdukje me forcë dhe trajtim mizor, çnjerëzor ose poshtërues nga forcat izraelite.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Një burrë 57-vjeçar, i arrestuar gjatë një bastisjeje në një spital në qytetin e Gazës në dhjetor 2023, tha se u mbajt me pranga dhe sy të lidhur për 45 ditë në një kamp ushtarak, ndërsa vuante nga uria dhe rrahjet.

Izraeli nuk ka komentuar mbi pretendimet në raport. Vendi i ka mohuar më parë akuzat për torturë dhe keqtrajtim të të burgosurve palestinezë.

Raporti i “AI”-së kritikoi Ligjin për Luftëtarët e Paligjshëm, i cili është zgjatur disa herë qëkur sulmet e 7 tetorit nga Hamasi ndezën konfliktin aktual në Gaza.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Amnesty International” bëri të ditur se Izraeli po anashkalon konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut duke i etiketuar të arrestuarit luftëtarë të paligjshëm.

“AI” bën thirrje që të gjithë të burgosurit që mbahen sipas Ligjit për Luftëtarët e Paligjshëm, duke përfshirë anëtarët e dyshuar të grupeve të armatosura, të trajtohen në mënyrë njerëzore dhe t’u jepet akses tek avokatët. (Elona)