Kina i kërkon ShBA-së të ndalojë mashtrimin e botës me gënjeshtra pas publikimit të doktrinës së mashtrimit
2024-07-19 21:09:48

Foto:CMG

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Lin Jian(Foto:CMG)

ShBA-ja duhet të ndreqë menjëherë gabimet e saj, të ndalojë mashtrimin e botës me gënjeshtra dhe të heqë dorë nga shpifjet e përbaltja e vendeve të tjera, tha të premten zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Lin Jian duke komentuar mbi raportin e publikimit të doktrinës zyrtare të Trupave të Marinës të ShBA-së mbi mënyrën e përdorimit të mashtrimit prej tyre. 

ShBA-ja duhet të japë një shpjegim para bashkësisë ndërkombëtare lidhur me përhapjen e informacionit të rremë për përfitimin e vet, si edhe para vendeve në zhvillim për dëmin serioz të shkaktuar nga strategjitë e saj "mashtruese", u shpreh zëdhënësi.

"Nga ish-sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo që e pranoi publikisht se ShBA-ja ka gënjyer, mashtruar e vjedhur, deri te zbulimi i kohëve të fundit i fushatës së dezinformacionit të Pentagonit kundër vaksinave kineze gjatë pandemisë së COVID-19 dhe doktrina e fundit e publikuar nga ushtria amerikane me titull 'Mashtrimi', kush po përhap informacion të rreme globalisht? Kush po kryen luftë njohëse kundër vendeve të caktuara? Kush është angazhuar në sulme kibernetike dhe luftë informacioni në shkallë ndërkombëtare," pyeti Lin. 

ShBA-ja është mësuar të ndjekë interesat e veta në emër të të ashtuquajturit "moral ndërkombëtar", të përhapë informacion të rremë nëpërmjet propagandës mashtruese dhe të përdorë opinionin publik e luftën njohëse për të shtypur vendet e tjera, tha zëdhënësi.

Bashkësia ndërkombëtare i ka parë këto taktika dhe ka mbetur vigjilente ndaj tyre, theksoi Lin, duke shtuar që se epoka kur ShBA-ja e ka udhëhequr bashkësinë ndërkombëtare me mashtrim ka kaluar prej kohësh.