Europa nën pushtetin e temperaturave mbi 40 gradë celsius
2024-07-19 11:21:33

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Europa aktualisht po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit, me temperaturat në shumë vende që shkojnë mbi 40 gradë Celsius.

Ministria e Shëndetësisë në Itali ka lëshuar një alarm të kuq të kategorisë 3 në 13 qytete të mëdha, përfshirë Romën, Bolonjën, Firencen, Palermon dhe Triesten.

Si rezultat, autoritetet provinciale në shumë rajone kanë zbatuar masa urgjente, si ndalimi i punës në natyrë nga ora 12:30 deri në orën 16:00 për punëtorët e bujqësisë dhe ndërtimit. Gjithashtu qytetarët këshillohen të shmangin ekspozimin direkt në diell, shkruan “ATSH”. Në Greqi, Shërbimi Meteorologjik Kombëtar ka raportuar se masat ekstreme të ajrit të nxehtë që mbulojnë pjesën më të madhe të Europës Lindore dhe Ballkanit do të vazhdojnë të ndikojnë në të gjithë vendin, me temperatura që pritet të arrijnë kulmin të premten.

Në kuadër të masave kundër temperaturave ekstreme, Akropoli mbyllet nga mesdita deri në orët e vona të pasdites për të mbrojtur punëtorët dhe turistët.

Në Bullgari, Instituti Kombëtar i Meteorologjisë dhe Hidrologjisë (NIMH) parashikon temperatura midis 38 dhe 43 gradë Celsius në pjesën më të madhe të vendit, duke përjashtuar provincat e Detit të Zi.

Anticikloni afrikan që po intensifikohet mbi gjerësinë gjeografike të Mesdheut po ndikon edhe në Shqipëri, ku në zonat më të ulëta temperaturat pritet të arrijnë kulmin në 43 gradë Celsius.  (Irma)