Zëdhënësi: Spekulimi i Japonisë për "sfidën prej Kinës", justifikim për zgjerim ushtarak
2024-07-19 20:38:15

Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes Kombëtare Zhang Xiaogang tha të premten se zhvillimi ushtarak i Kinës synon vetëm ruajtjen e sovranitetit, sigurisë kombëtare e interesave të zhvillimit, si dhe të paqes e qëndrueshmërisë ndërkombëtare e rajonale.

Foto:CMG

Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes Kombëtare Zhang Xiaogang(Foto:VCG)

Ai i bëri këto komente në një konferencë shtypi duke iu përgjigjur pyetjes mbi librin e bardhë "Mbrojtja e Japonisë 2024", ku përfshihen përmbajtje për tensionet në ngushticën e Tajvanit dhe patrullimet e përbashkëta detare Kinë-Rusi.

Ky libër i bardhë për mbrojtjen është i mbushur me klishe, duke mashtruar komunitetin ndërkombëtar dhe duke ofruar pretekst për zgjerim ushtarak, tha Zhang, duke shtuar se pala kineze ka shprehur pakënaqësi e kundërshtim dhe i ka paraqitur demarsh serioz palës japoneze.

Zhang theksoi se është e ligjshme dhe e drejtë që Kina të kryejë aktivitete detare e ajrore sipas ligjeve ndërkombëtare dhe ligjeve të brendshme përkatëse.

Sipas tij, aktivitetet separatiste për "pavarësinë e Tajvanit" dhe mbështetja e forcave të jashtme janë kërcënimet më të mëdha për paqen në ngushticëm e Tajvanit.

"Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kinës dhe Rusisë është ndërtuar mbi bazën e mosaleancës, moskonfrontimit e mosshënjestrimit të ndonjë pale të tretë dhe është në favor të ruajtjes së paqes dhe qëndrueshmërisë ndërkombëtare e rajonale, si edhe për ruajtjen e barazisë dhe drejtësisë ndërkombëtare," tha Zhang.

Historia ka dëshmuar dhe do të vazhdojë të dëshmojë se Kina është gjithmonë një forcë për paqen, qëndrueshmërinë dhe përparimin në botë, vuri në dukje ai.

“Ne i bëjmë thirrje Japonisë të nxjerrë mësime nga historia, të ndalojë shpifjet ndaj Kinës dhe të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Kinës, të flasë dhe të veprojë me maturi për çështjet e sigurisë ushtarake e të fitojë besimin e fqinjëve aziatikë dhe të komunitetit ndërkombëtar me anë të veprimeve konkrete," vuri në dukje Zhang. (Zhang Yan/Artan)