Prodhuesi kinez i makinave hap fabrikën e automjeteve elektrike në Tajlandë
2024-07-19 14:43:21

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Prodhuesi kinez i makinave “GAC Aion”, një degë e “GAC Group”, hapi fabrikën e automjeteve elektrike në Tajlandë, ndërsa modeli i parë strategjik global i “Aion” doli nga linja e montimit në fabrikë, duke shënuar një moment historik në zgjerimin e kompanisë jashtë shtetit, shkruan “Xinhua”.

Si fabrika e dytë jashtë shtetit e hapur nga një prodhues kinez i makinave në Tajlandë këtë muaj, pas “BYD”, fabrika ndodhet në provincën Rayong në Korridorin Ekonomik Lindor të Tajlandës (EEC), me një investim të planifikuar prej 2.3 miliardë baht (64 milionë dollarë amerikanë) dhe një investim vjetor me kapacitet prej 50.000 automjetesh.

Fabrika është shumë inteligjente. Ajo aplikon teknologji të reja, si të dhënat e mëdha, inteligjencën artificiale dhe Internetin e Gjërave për të arritur një prodhim më efikas të modeleve të shumta.

Ministrja e Industrisë e Tajlandës, Pimphattra Wichaikul, tha në ceremoninë e inaugurimit se funksionimi i një fabrike të re të automjeteve elektrike do të promovojë transformimin e industrisë së automobilave të Tajlandës dhe do të ndihmojë vendin e Azisë Juglindore të realizojë vizionin e tij për t'u bërë një qendër rajonale dhe globale e prodhimit të makinave elektrike.

Tajlanda ka qenë prej kohësh një bazë kryesore e prodhimit të automobilave në rajonin e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN). Me ndihmën e promovimit të investimeve të qeverisë tajlandeze, automjetet elektrike pritet të përbëjnë 30 për qind të prodhimit total të automjeteve në vend deri në vitin 2030.

“GAC Aion” lançoi zyrtarisht strategjinë e saj në Tajlandë në qershor 2023 dhe produkti i saj i parë u lançua në shtator.

Zeng Qinghong, presidenti i “GAC Group”, tha se vendosja e kompanisë në Tajlandë ka hedhur një themel të fortë që kjo e fundit të bëhet qendra e industrisë së makinave elektrike në ASEAN.

Ai shtoi se kompania do të vazhdojë të përmirësojë ndërtimin e objekteve të karikimit dhe ekosistemeve të energjisë në Tajlandë.

Vitet e fundit, “GAC Group” ka zgjeruar fuqishëm tregjet jashtë shtetit. Tani ajo operon me shitje të automjeteve dhe shërbime pas shitjes në 68 vende dhe rajone. (Irma)