UNESCO paralajmëron përfshirjen e liqenit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik
2024-07-19 12:08:13

Liqeni i Ohrit (Foto Panorama)

Organizata Botërore e Monumenteve, UNESCO, paralajmëron autoritetet shqiptare dhe ato maqedonase për një përfshirje të mundshme të liqenit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Në projektvendimin e Komitetit të Trashëgimisë Botërore, thuhet se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet t’i paraqesin Qendrës së Trashëgimisë Botërore, deri më 1 shkurt 2025, një raport të përbashkët të përditësuar mbi gjendjen e ruajtjes së pronës dhe zbatimin e rekomandimeve të misioneve të UNESCO-s, shkruan “Panorama”.

UNESCO vlerëson se se nevojat urgjente të ruajtjes së liqenit të Ohrit kërkojnë një mobilizim të gjerë për të ruajtur vlerat universale, duke përfshirë edhe përshkrimin e mundshëm në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

UNESCO rithekson kërkesën e saj për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që urgjentisht të përgatisin një Vlerësim Strategjik Mjedisor që vlerëson në mënyrë gjithëpërfshirëse ndikimet e të gjitha planeve të infrastrukturës dhe zhvillimit dhe projekteve të tjera madhore në vlerat universale dhe ta dorëzojnë atë në Qendrën e Trashëgimisë Botërore për shqyrtim.

UNESCO në projektvendim nxit Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të përforcojnë dialogun ndërkufitar nga niveli i lartë institucional në atë operacional.

UNESCO u kërkon të dy shteteve të sigurojnë që Komiteti i Menaxhimit të Pellgut Ujëmbledhës Ndërkufitar të funksionojë në baza të rregullta, në një dialog të dyanshëm me dhe të mbështetur nga një grup pune ndërkufitar për të siguruar që çështjet ndërkufitare të adresohen menjëherë dhe në mënyrë efektive dhe progresi të monitorohet dhe raportohet.

UNESCO nxit të dy vendet të ndërmarrin një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis për ndikimin e mundshëm në vlerat universal të çdo rruge alternative të Korridorit VIII hekurudhor, për të cilën duhet të përgatitet studimi i fizibilitetit në vitin 2024, dhe t’i dorëzojnë të gjitha vlerësimet dhe informacionin teknik përkatës UNESCO-s.

Në analizë vërehet me shqetësim se zhvillimi në shkallë të gjerë rreth liqenit, veçanërisht pranë qendrave kryesore urbane, ka cënuar cilësitë e ansamblit jashtëzakonisht harmonik.

“Gjendja e ruajtjes së pronës nuk po përmirësohet dhe nuk ka prirje pozitive për të filluar rikthimin e integritetit të saj”,- thuhet në raportin e UNESCO-s.

Liqeni i Ohrit është një nga liqenet më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe llogaritet si një nga më të vjetrit në botë. Pjesa më e madhe e liqenit i përket Maqedonisë së Veriut, kurse pjesa tjetër i përket Shqipërisë. Në bregun e liqenit shtrihen tre qytete të mëdha: Ohri dhe Struga në Maqedoni dhe Pogradeci në Shqipëri.

Pjesa maqedonase e Liqenit të Ohrit u pranua në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1979, fillimisht si pasuri natyrore, dhe një vit më vonë si pasuri natyrore dhe kulturore, ndërsa pjesa shqiptare u pranua në vitin 2019. (Irma)