Rezoluta qartëson më tej objektivin e përgjithshëm për thellimin e gjithanshëm të reformës
2024-07-19 16:54:13

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Të premten paradite, Komiteti Qendror (KQ) i Partisë Komuniste të Kinës (PKK) zhvilloi një konferencë shtypi për prezantimin dhe shpjegimin e frymës së plenumit të 3-të të KQ të 20-të të PKK-së.

Në plenumin e 3-të të KQ të 20-të të PKK-së u miratua të enjten Rezoluta e Komitetit Qendror të PKK-së për Thellimin e Mëtejshëm të Reformës në Mënyrë të Gjithanshme për të Çuar Përpara Modernizimin Kinez. Në këtë konferencë shtypi, Mu Hong, nëndrejtori i Zyrës Qendore për Reformën, paraqiti rezultatet kryesore në thellimin e gjithanshëm të reformës në epokën e re, si edhe objektivin e përgjithshëm dhe parimet kryesore të thellimit të mëtejshëm të reformës në mënyrë të gjithanshme.

Mu tha se në këtë rezolutë qartësohet objektivi i përgjithshëm i thellimit të mëtejshëm të reformës në mënyrë të gjithanshme, d.m.th. përmirësimi e zhvillimi i vazhdueshëm i sistemit të socializmit me karakteristika kineze dhe nxitja e modernizimit të sistemit të qeverisjes kombëtare dhe të aftësisë së qeverisjes. Deri në vitin 2035 do të përfundojë ndërtimi i sistemit të ekonomisë socialiste të tregut të nivelit të lartë, do të përsoset më tej sistemi i socializmit me karakteristika kineze, do të realizohet në përgjithësi modernizimi i sistemit të qeverisjes kombëtare dhe i aftësisë së qeverisjes, si edhe modernizimi socialist, dhe do të hidhet një bazë e fortë për shndërrimin e Kinës në një vend të fuqishëm me modernizim socialist deri në mes të këtij shekulli.

Mu u shpreh se në Rezolutë vihet në dukje që, për thellimin e mëtejshëm të reformës, duhet të ndiqen parimet kryesore, si udhëheqja e gjithanshme e PKK-së, vënia e popullit në qendër të punës, këmbëngulja në të drejtën dhe risitë, fokusimi në ndërtimin institucional si punë kryesore, sundimi i ligjit në mënyrë të gjithanshme, të menduarit sistemor etj.

Tang Fangyu, zv.drejtor i Zyrës Qendrore të Studimit të Politikave, tha në konferencën e shtypit se plenumi shqyrtoi dhe miratoi Rezolutën e Komitetit Qendror të PKK-së për Thellimin e Mëtejshëm të Reformës në Mënyrë të Gjithanshme për të Çuar Përpara Modernizimin Kinez. Janë propozuar gjithsej më shumë se 300 masa të rëndësishme reforme nga aspektet institucionale, sistemore e të mekanizmave, që përfshijnë jo vetëm përmirësimin e masave të kaluara të reformës, por edhe masa të reja të bazuara në nevojat praktike dhe projektet pilot.

Mësohet se Rezoluta ka 15 pjesë e 60 nene, të ndara në tre seksione të mëdha. Seksioni i parë është hyrja e përgjithshme, e cila kryesisht shtjellon rëndësinë dhe kërkesat e përgjithshme të thellimit të mëtejshëm të reformave dhe promovimit të modernizimit kinez. Seksioni i dytë lidhet me zbatimin e gjithanshëm të reformave në fusha dhe aspekte të ndryshme, nën drejtimin e reformës së sistemit ekonomik. Seksioni i tretë kryesisht flet për forcimin e udhëheqjes së Partisë në reformat dhe thellimin e reformës në sistemin e ndërtimit të Partisë.

Han Wenxiu, zv.drejtori i Zyrës Qendrore të Financave të Kinës, tha që në rezolutën e miratuar në plenumin e 3-të të KQ të 20-të të PKK-së vihet në dukje se duhet të shfrytëzohet më tej roli i tregut si mekanizëm, të krijohet një mjedis tregu më i barabartë e më dinamik dhe të stimulohet forca e brendshme novatore në mbarë shoqërinë.

Sipas rezolutës, sundimi i ligjit është mjedisi më i mirë i biznesit dhe duhet të hartohet e publikohet Ligji për Nxitjen e Ekonomisë Private.

Han bëri të ditur se në rezolutë theksohet gjithashtu nxitja e epërsive përplotësuese midis formave të ndryshme të pronësisë dhe realizimi i zhvillimit të përbashkët.

Nga njëra anë, duhet të thellohet reforma e ndërmarrjeve shtetërore dhe e pasurive shtetërore, që të ngrihet aftësia e tyre konkurruese thelbësore. Ndërmarrjet shtetërore duhet të shndërrohen në burim të teknologjive origjinale. Duhet të nxitet reforma e orientimit nga tregu të sektorëve me natyrën monopoli, si energjetika, hekurudhat etj.

Nga ana tjetër, duhet të krijohet një mjedis i mirë për zhvillimin e ekonomisë joshtetërore dhe t'u ofrohen ndërmarrjeve private më shumë mundësi për pjesëmarrjen e tyre në ndërtimin e projekteve të mëdha shtetërore dhe në kapërcimin e vështirësive kryesore teknologjike në rang kombëtar.

Han Wenxiu tha se në rezolutën e miratuar në plenumin e 3-të të KQ të 20-të të PKK-së kërkohet lidhja aktive me rregullat ekonomiko-tregtare ndërkombëtare të nivelit të lartë, zgjerimi në mënyrë të qëndrueshme i hapjes institucionale dhe ndërtimi i një sistemi të ri ekonomik me hapje të nivelit të lartë.

Han u shpreh se Kina do të nxitë më tej hapjen e nivelit të lartë. Do të zgjerohet hapja e njëanshme ndaj vendeve më të pazhvilluara dhe hapja autonome, do të zgjerohet në mënyrë sistematike hapja e tregut të mallrave, të shërbimeve, të kapitaleve, të punës etj., do të përsoset sistemi i lehtësive të jetesës së të huajve në Kinë për sa i përket banimit, mjekimit, pagimit etj. dhe do të ndërtohet bashkërisht e në mënyrë cilësore "Një brez, një rrugë", në mënyrë që tregu i madh kinez të shndërrohet në mundësi më të mëdha për botën.

Han Wenxiu tha se, si pasojë e ndryshimit të mjedisit ndërkombëtar dhe e faktorëve të tjerë, tani në Kinë përdorimi real i investimeve të huaja është ulur, por kjo është një dukuri e përkohshme. Me përmirësimin e vazhdueshëm të mjedisit të biznesit, do të vijojë të shtohen edhe rastet tregtare e do të zgjerohet shfrytëzimi i investimeve të huaja nga Kina.

Han vuri në dukje se, sipas frymës së plenumit të 3-të të KQ të 20-të të PKK-së, Kina do të lehtësojë më tej hyrjen në tregun e saj, do të konkretizojë sa më shpejt kërkesën për heqjen e masave kufizuese ndaj investimeve të huaja në fushën e manifakturës, do të zgjerojë listën e kategorive industriale ku inkurajohen investimet e huaja dhe do të zvogëlojë në mënyrë të arsyeshme listën negative për hyrjen e investimeve të huaja. Kina do të zgjerojë degën e shërbimeve, duke zbatuar gjithanshëm listën negative të tregtisë në shërbime dhe duke nxitur zgjerimin sistematik të hapjes në sektorët si telekomunikacioni, interneti, arsimi, kultura, mjekësia etj. Kina do të shpejtojë edhe zhvillimin e tregtisë jashtë vendit, do të përkrahë paralelisht zhvillimin e ndërmarrjeve kineze e atyre të huaja dhe do të sigurojë që ndërmarrjet me investime të huaja të gëzojnë trajtim kombëtar në tërheqjen e faktorëve prodhues, marrjen e licensave, hartimin e standardeve dhe prokurimet qeveritare.

Han Wenxiu u shpreh gjithashtu në vijim se Kina është ende një "tokë pjellore" për investimet e vendeve të ndryshme dhe do të përmirësojë më tej mjedisin e nivelit të lartë të biznesit, të orientuar nga tregu, me sundim ligji e të ndërkombëtarizuar. Kina është e gatshme të ndajë rastet kolosale me ndërmarrjet me investime të huaja gjatë zhvillimit të forcave të reja prodhuese dhe procesit të modernizimit të stilit kinez.

Han Wenxiu tha se Rezoluta e shqyrtuar dhe e miratuar në plenumin e 3-të të KQ të 20-të të PKK-së propozon përshpejtimin e urbanizimit të punëtorëve nga fshati. Rezoluta nxit përmirësimin e normalizimit të mekanizmit për parandalimin e kthimit të popullsisë rurale në varfëri, krijimin e një sistemi ndihme hierarkik e të klasifikuar për popullsinë rurale me të ardhura të ulëta dhe zonat e pazhvilluara, përmirësimin e mekanizmit të investimeve për rigjallërimin rural dhe kultivimin e industrive e të modeleve të reja të biznesit në zonat rurale.

Ministri i Arsimit Huai Jinpeng tha në konferencë shtypi se Kina ka ndërtuar sistemin arsimor më të madh në botë dhe popullarizimi i arsimit të niveleve të ndryshme e ka arritur ose e ka kaluar nivelin mesatar të vendeve me të ardhura të mesme e të larta. Norma e regjistrimit në shkollat e larta ka arritur mbi 60 për qind, duke bërë që Kina të hyjë në fazën e popullarizimit të arsimit të lartë, të njohur botërisht.

Koha mesatare e arsimimit të forcës së re punëtore në Kinë i kalon 14 vjetët, ndërkohë që numri i atyre që kanë kryer arsimin e lartë arrin në 250 milionë dhe numri i personelit të kërkim-zhvllimit radhitet në vendin e parë të botës.

Shuma e shpenzimeve të mbarë shoqërisë kineze për kërkim-zhvillim radhitet në vendin e dytë në botë. Me forcimin e mëtejshëm të kërkimet bazë dhe të novacionit origjinal, si dhe me përparimet e mëdha në teknologjitë kyçe, Kina është përfshirë në radhën e vendeve novatore.