Kina nis fushatën e turizmit veror për të stimuluar konsumin
2024-07-19 14:36:03

Foto nga CFP

Një fushatë promovuese e fokusuar te kultura dhe konsumi i turizmit gjatë pushimeve verore filloi në Erdos, një destinacion popullor turistik në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës veriore, shkruan “Xinhua”.

Rreth 37.000 aktivitete janë planifikuar të zhvillohen në të gjithë vendin për të promovuar kulturën dhe konsumin e turizmit, duke vënë në pah skenarët e rinj të konsumit dhe politikat preferenciale, bëri të ditur Ministria e Kulturës dhe Turizmit, e cila organizoi aktivitetin.

Sipas ministrisë, fushata do të shfaqë një sërë aktivitetesh turistike, duke përfshirë turne nate dhe udhëtime studimore, dhe do të shohë masa stimuluese si kuponët e konsumit dhe biletat me çmim të ulët për të çliruar potencialin e konsumit.

Sezoni veror korrik-gusht është kulmor për turizmin vendas, sidomos për familjet me fëmijë.

Një raport i publikuar nga ofruesi i shërbimeve të udhëtimit në internet “Ctrip” tregon një rritje të qëndrueshme të tregut vendas të turizmit këtë verë në Kinë, me kërkimet në internet për hotele dhe bileta fluturimi me një rritje vjetore prej mbi 20 për qind.

Statistikat nga Akademia e Turizmit të Kinës zbuluan se Kina pati afërsisht 1.84 miliardë udhëtime të brendshme gjatë pushimeve verore vitin e kaluar, duke gjeneruar të ardhura nga turizmi prej 1.21 trilionë juanë (rreth 170 miliardë dollarë amerikanë). (Irma)