Britania: Rusia planifikon të ndalojë largimin e rekrutëve nga vendi
2024-07-18 11:16:15

Foto nga VCG

Ministria britanike e Mbrojtjes bëri të ditur se Rusia po përgatitet të bllokojë rekrutët e mundshëm që të largohen nga vendi.

Njoftimi, bazuar në përditësimin e Shërbimit Sekret të Ministrisë britanike të Mbrojtjes për situatën në Ukrainë, i referohet një raporti të organizatës së pavarur mediatike ruse “Medusa”.

Raporti sugjeron se Ministria ruse e Mbrojtjes po punon me Shërbimin Sekret, FSB, për të zhvilluar një sistem për shkëmbimin e informacionit për rekrutët e mundshëm, shkruan “ATSH”.

Sistemi pritet të jetë funksional para fillimit të rekrutimeve, në vjeshtë.

Rusia rekruton rreth 250.000 persona çdo vit, të cilët duhet të shërbejnë në ushtri për një vit.

Qindra mijëra rusë, kryesisht të rinj dhe të arsimuar, janë larguar nga vendi pas shpalljes së një mobilizimi të pjesshëm në vitin 2022.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka publikuar rregullisht informacione për ecurinë e konfliktit Rusi-Ukrainë, që nga nisja e tij në shkurt 2022, ndërsa Rusia e akuzon Britaninë për dezinformim. (Elona)