Shkencëtarët: I nxehti dhe reshjet ekstreme në verë, pasojë e ngrohjes globale
2024-07-18 11:42:54

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Prej nga fundi i majit e deri tani, vende të ndryshme të botës po përjetojnë nxehtësi ekstreme, ose reshje ekstreme të shiut, duke u përballur me fenomenin “El Niño”.

Pavarësisht me atë që përjetojnë këto vende, e përbashkëta e tyre është se këto janë pasojat e ngrohjes globale, shkruan “RTSH”.

Sipas hulumtimit nga shkencëtarët e klimës nga “World Weather Attribution”, nxehtësia ekstreme dhe e vazhdueshme ka pushtuar rajone të mëdha dhe ka zgjatur presionin e lartë, i njohur si kupola e nxehtësisë, ku ajri i nxehtë bllokohet afër tokës dhe nxehet më tej nën qiellin blu dhe rrezet e diellit.

Ndërsa kupolat e nxehtësisë kanë një mekanizëm të njohur për intensifikimin e valëve të të nxehtit, javët e fundit janë thyer rekorde si në temperaturat e ditës ashtu edhe gjatë natës në disa vende, duke përfshirë Meksikën, Guatemalën, Hondurasin SHBA apo dhe Europën.

Rritja e pamëshirshme e ndotjes nga nxehtësia (kryesisht nga djegia e naftës, qymyrit dhe gazit natyror) po i bën periudhat e nxehtësisë së rrezikshme më të nxehta, më të gjata dhe më të shpeshta në të gjithë globin.

Nxehtësia ekstreme më e shpeshtë nuk është vetëm një tregues i ndryshimit të klimës, por edhe një nga rreziqet më serioze për shëndetin e njeriut.

Gjatë periudhës 12-mujore, sipas studimit, rreth 6.3 miliardë njerëz (rreth 78% e popullsisë globale) përjetuan të paktën 31 ditë nxehtësi ekstreme, që me shumë gjasa ndodhi për shkak të ndryshimeve klimaterike të shkaktuara nga njerëzit.

Gjatë 12 muajve të fundit, ndryshimet klimaterike të shkaktuara nga njeriu shtuan mesatarisht 26 ditë nxehtësi ekstreme sesa do të kishte pa një planet të ngrohur.

Studimi identifikoi 76 valë ekstreme të të nxehtit në 90 vende të ndryshme.

Këto ngjarje vënë në rrezik miliarda njerëz në zonat me popullsi të dendur të Azisë Jugore dhe Lindore dhe Amerikës së Jugut.

Ulja e shpejtë e ndotjes që bllokon nxehtësinë është veprimi më me ndikim dhe afatgjatë për të ngadalësuar shkallën e ngrohjes dhe për të filluar të reduktohet nxehtësia e rrezikshme.

Në afat të shkurtër, iniciativa të tilla si “Heat Action Day” mund të ndihmojnë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbajtjen e njerëzve të sigurt gjatë ngjarjeve më të nxehta, më të gjata dhe më të mundshme të nxehtësisë ekstreme. (Elona)