Vendet e Ballkanit ndihmojnë në shuarjen e zjarreve në Maqedoninë e Veriut
2024-07-18 11:36:19

Helikopter (Foto Rtsh)

Avionë dhe helikopterë nga vendet e Ballkanit dhe Turqia kanë ndihmuar Maqedoninë e Veriut për të vënë nën kontroll zjarret në pyje.

“Mjetet e dërguara nga Kroacia, Serbia, Sllovenia dhe Turqia ndihmuan Shërbimet e Emergjencës në luftimin e zjarreve”,- bëhet e ditur në një deklaratë të Komisionit Europian, shkruan “RTSH”.

“BE-ja është e bashkuar në mbështetjen e saj. Përgjigjja jonë e shpejtë përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së është thelbësore për të mbështetur përpjekjet lokale kundër këtyre zjarreve shkatërruese”,- deklaroi eurokomisioneri për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic.

Qindra hektarë pyje u dogjën javën e kaluar në disa rajone të Maqedonisë së Veriut.

Deri të martën në mëngjes, autoritetet kishin identifikuar 12 zjarre aktive në pyje në vend.

Në mbledhjen urgjente të qeverisë të mbajtur gjatë fundjavës u shpall situata e krizës, për shkak të shtimit të numrit të zjarreve në pyje. Kjo masë lejon që të angazhohen më shumë burime shtetërore për t’iu përgjigjur situatave me rrezik më të madh për pronën, shëndetin dhe jetën e njerëzve dhe kafshëve.

Qeveria maqedonase i ka bërë thirrje policisë dhe ushtrisë për të luftuar zjarret dhe për të rritur nivelin e përgatitjes së personelit mjekësor në të gjithë vendin.

Vala e të nxehtit ka përfshirë rajonin e Ballkanit që prej javës së kaluar dhe pritet të zgjasë edhe disa ditë të tjera. (Elona)