Kryediplomati kinez: Qetësimi i situatës në Ukrainë, gjëja më urgjente
2024-07-18 11:38:50

Foto nga VCG

Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi u shpreh të martën se objektivi më urgjent e më realist për sa i përket krizës së Ukrainës është zbutja sa më shpejt e tensioneve.

Kryediplomati kinez i tha këto në bisedimet telefonike me ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto.

Szijjarto shprehu pikëpamjet e tij për situatën e tanishme, sidomos mbi krizën e Ukrainës dhe përpjekjet e fundit të Hungarisë për zgjidhjen e saj, duke u shprehur se Kina është një forcë e rëndësishme për nxitjen e paqes.

Kreu i diplomacisë hungareze tha gjithashtu se vendi i tij dëshiron të bëjë përpjekje të përbashkëta me Kinën për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe për të krijuar kushte për zgjidhjen politike.

Ndërsa Wang Yi theksoi se palët e ndryshme duhet të arrijnë unanimitet sa më parë për parimet e moszgjerimit të fushëbetejës, të mospërshkallëzimit të luftimeve dhe të mosnxitjes së krizës nga asnjë palë. Kjo është thelbësore për krijimin e kushteve për armëpushim dhe për rifillimin e bisedimeve të paqes. (Çang Çuo)