Ekipi kinez krijon model AI të aftë për të lexuar imazhet e kancerit
2024-07-18 18:19:48

Një ekip kinez ka zhvilluar modelin e parë të inteligjencës artificiale (AI) në vend për analizimin e një game të ndryshme imazhesh patologjike. Ky model i përparuar është i aftë të ekzaminojë më shumë se 20 organe njerëzore, duke përfshirë mushkëritë, gjoksin dhe mëlçinë. 

Foto:VCG

Foto:VCG

Modeli i madh gjuhësor (LLM), i njohur si "PathOrchestra", përfaqëson një përparim në diagnostikimin e sëmundjeve me ndihmën nga AI-ja, duke përbërë një kalim nga një model i veçantë për një lloj të veçantë kanceri në një tjetër që është i aftë për të trajtuar shumë prej tyre.

Studiuesit nga Universiteti Mjekësor i Forcave Ajrore (AFMU), Universiteti Tsinghua dhe "SenseTime" përdorën grupin më të madh të të dhënave në Kinë që përfshin pothuajse 300 000 imazhe patologjike digjitale, baras me 300 terabajtë të dhëna. 

Duke shfrytëzuar mësimin e vetëmbikëqyrur, modeli "ndërmësoi" duke analizuar mbi 20 organe të ndryshme dhe kreu një sërë detyrash klinike, duke përfshirë klasifikimin e pankancerit, identifikimin dhe zbulimin e dëmtimeve funksionale, diferencimin e nëntipave të shumëkancerit dhe vlerësimin e bioshenjuesit. 

Larmia në imazhet patologjike përbën një sfidë të madhe për aplikimet e AI-së, theksoi Wang Zhe, profesor në Akademinë e Shkencave Mjekësore Bazë në varësi të AFMU-së.

Ky përparim mund të ulë ndjeshëm ngarkesën e punës së patologëve dhe të rritë efektshmërinë e shqyrtimit të imazheve mjekësore, thanë kërkuesit. 

"PathOrchestra" përbën një shembull të veçantë ndër modelet e mëdha në Kinë dhe përfaqëson zhvillimin e shpejtë e të fuqishëm në fushën e AI-së në Kinë. 

Nga më tepër se 1 300 LLM të AI-së globalisht, 36 për qind janë nga Kina, duke zënë vendin e dytë pas Shteteve të Bashkuara, sipas një libri të bardhë mbi ekonominë digjitale globale të publikuar kohët e fundit nga Akademia Kineze e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Konferencën Botërore të Ekonomisë Digjitale 2024.(Artan)