Studiuesit kinezë kanë dekoduar një gjen të ri që duron kripën te gruri, duke çuar në rritje të rendimentit prej 5 deri në 9 % në varietetet eksperimentale të rritura në tokat e kripura-alkaline.
Foto:VCG
Zbulimet e studimit janë publikuar në revistën “Nature Genetics”.
Wang Meng, një ndër autorët e studimit, nga Instituti i Shkencës së Tokës pranë Akademisë Kineze të Shkencave, tha se rajonet kryesore të rritjes së grurit në Kinë kanë përqindje të lartë të kripëzimit të tokës. Pranvera është një periudhë e rëndësishme për rritjen e grurit, kur kokrrat mbushen. Por në këtë kohë, kripësia e tokës arrin në nivelin më të lartë, duke ndikuar rëndë në rritjen dhe prodhimin.
Për këtë, studiuesit nga Instituti i Shkencës së Tokës, Universiteti i Bujqësisë e i Pylltarisë i Veriperëndimit dhe Universiteti Bujqësor i Qingdao-s analizuan mbi 500 varietete gruri të kultivuara për vite në fusha të kripura-alkaline dhe identifikuan TaSPL6-D, një shtypës transkriptues i gjeneve të rëndësishme rezistente ndaj kripës te gruri.
Foto:VCG
Ekipi kërkimor zbuloi se, për shkak të variacionit gjenetik natyror, ekziston një variant natyror i TaSPL6-D, i quajtur TaSPL6-D-In në varietetet vendase, i cili humb aftësinë për të frenuar gjenet kryesore rezistente ndaj kripës.
Duke përdorur një metodë kultivimi me asistencë molekulare, studiuesit e futën TaSPL6-D-In nga një varietet vendës në një kultivar kryesor gruri, duke përmirësuar me sukses rendimentin në tokat e kripura-alkaline.
Zhao Zhendong nga Akademia Kineze e Inxhinierisë dhe Cao Xiaofeng nga Akademia Kineze e Shkencave thanë se ky studim ofron objektiva kryesore projektimi për të çuar përpara kultivimin molekular te gruri rezistent ndaj kripës dhe kulturat e tjera.(Zhang Yan/Artan)