Studimi: Një e treta e popullsisë së botës nuk bën mjaftueshëm ushtrime fizike
2024-07-18 10:57:31

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Një studim i ri bën të ditur se gati një e treta e popullsisë së botës në moshë madhore nuk bëri gjatë vitit 2022 aktivitetin e rekomanduar fizik.

Rajoni i Mesdheut Lindor dhe Azia Juglindore kanë nivelet më të larta të mungesës së aktivitetit fizik, në gati 40% të popullsisë, thuhet në një studim të publikuar në gazetën mjekësore “The Lancet Global Health”, shkruan “Panorama”.

Mendohet se në Indonezi, shumë njerëz e kanë të vështirë të gjejnë kohë të lirë, pasi kanë ngarkesë të madhe në punë. Kjo do të thotë se nuk kanë kohë të mjaftueshme për t’u ushtruar që të ruajnë shëndetin e tyre. Mendojnë vetëm për punën.

Po ashtu, njerëzit fajësojnë edhe mediat sociale, të cilat kanë krijuar një stil jetese më pasiv.

Sipas studimit të ri, rreth 1.8 miliardë njerëz, pra rreth një e treta e të rriturve në mbarë globin, nuk përmbushën nivelet e rekomanduara të aktivitetit fizik. Kjo do të thotë se ata mund të jenë më të rrezikuar nga sëmundjet.

Studimi u përpilua nga shkencëtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe akademikë të tjerë.

Shqetësuese është tendenca e popullsisë për t’u bërë më pak aktive. Kjo tendencë u përshpejtua me 5% gjatë periudhës 2010-2022.

Njerëzit më pak aktivë gjenden në rajonin e Mesdheut lindor dhe Azisë juglindore, me gati 40% të popullsisë që nuk ushtrohet fizikisht.

Njerëzit janë shumë më aktivë në rajone të tjera, si në Europë, ku vetëm 25% nuk ushtrohen, apo në Afrikë, me vetëm 16%.

Në mbarë botën, gratë janë të prira të bëjnë më pak ushtrime fizike se burrat, me nivele pasiviteti në 34%, krahasuar me 29% për burrat. Gjithashtu, jeta sedentare shtohet pas moshës 60-vjeçare.

Studimi i ri pati edhe konkluzione pozitive. Në gati gjysmën e botës është bërë përparim për të shtuar aktivitetin fizik gjatë dekadës së fundit.

Madje nëse vazhdojnë me ritmin e tanishëm, 22 vende të botës mund të arrijnë deri në vitin 2030 objektivin që 85% e popullsisë të bëjë rregullisht ushtrime fizike. (Elona)