Shkencëtarët kanë zbuluar një shpellë në Hënë
2024-07-17 15:31:02

Hena (Foto Panorama)

Shkencëtarët kanë konfirmuar zbulimin e një shpelle në Hënë. Ata mendojnë se në Hënë ka qindra shpella të tjera ku mund të strehohen astronautët në të ardhmen.

Një ekip i udhëhequr nga shkencëtarë italianë njoftoi se ka prova për një shpellë të përmasave të mëdha, hyrja e së cilës është në atë që njihet si gropa më e thellë në Hënë dhe shtrihet në “Detin e Qetësisë”, rreth 400 kilometra nga vendi ku u ul misioni “Apollo 11”, shkruan “Panorama”.

Ultësira, me rreth 200 të tjera të ngjashme të zbuluara atje, është krijuar nga shembja e tubacioneve të llavës, sipas shkencëtarëve.

Hulumtuesit analizuan matjet e radarëve nga sonda “Lunar Reconnaissance Orbiter” që vëzhgon Hënën dhe i krahasuan rezultatet me damarët e lavës në Tokë. Studimi i tyre është publikuar në revistën “Nature Astronomy”.

Të dhënat e radarit tregojnë vetëm pjesën fillestare të zgavrës hënore, sipas shkencëtarëve. Ata vlerësojnë se shpella është të paktën 40 metra e gjerë dhe disa dhjetëra metra e gjatë, e ndoshta më shumë.

Gjetjet sugjerojnë se mund të ketë qindra gropa në Hënë dhe mijëra tubacione llave. Ato mund të shërbejnë si një strehë natyrore për astronautët, për t’i mbrojtur ata nga rrezet kozmike dhe rrezatimi diellor, si dhe nga goditjet e mikrometeorike, copëza të vogla sa një kokërr rëre. (Irma)