Zyrtarët e lartë të BE-së bojkotojnë takimet e mbajtura nga presidenca hungareze
2024-07-17 15:29:34

Von der Leyen - Orban (Foto Panorama)

Komisioni Europian pritet të bojkotojë pjesërisht presidencën hungareze të BE-së, sipas një zëdhënësi, në vazhdën e udhëtimeve të diskutueshme të kryera nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, të cilat irrituan zyrtarët e lartë, shkruan “ATSH”.

“Në takimet jozyrtare të ministrave të BE-së nuk do të ketë komisionerë të BE-së, por vetëm zyrtarë të lartë dhe kjo nën dritën e zhvillimeve të fundit që shënojnë fillimin e presidencës hungareze”,- shkroi në “X” një zëdhënës i presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen.

Vendimi vjen pasi kryeministri hungarez, Viktor Orban, u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, në Kremlin, vetëm disa ditë pasi Hungaria mori presidencën e BE-së në fillim të korrikut.

Orban tha se ai ishte në një mision paqeje, por udhëheqësit e BE-së e dënuan ashpër udhëtimin dhe theksuan se ai nuk kishte një mandat të BE-së për bisedimet.

Zëdhënësi kryesor, Eric Mamer, njoftoi se Komisioni Europian do të hiqte dorë nga vizita e tij tradicionale inauguruese në Hungari për të mirëpritur në presidencën hungareze. (Irma)