Atentati ndaj Trump, presidenti Biden: Politika s’duhet të jetë fushë beteje apo vrasjesh
2024-07-16 11:12:36

Presidenti amerkan Joe Biden (Foto Panorama)

Presidenti amerikan, Joe Biden, i është drejtuar kombit nga zyra ovale në Shtëpinë e Bardhë, pas atentatit ndaj ish-presidentit Donald Trump, pasditen e së shtunës gjatë një mitingu në Pensilvani, njofton “Panorama”.

Ai ka përsëritur se dhuna nuk është kurrë përgjigje në politikën amerikane, duke renditur një sërë incidentesh, përfshirë tentativën për vrasjen e ish-presidentit Tump, sulmin e 6 janarit në kryeqytet dhe sulmin ndaj ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

“Retorika politike në këtë vend është ndezur dhe është koha për ta qetësuar atë”,- deklaroi presidenti Biden, ndërsa bëri thirrje për veprim në kutinë e votimit, duke shtuar se kështu duhet të funksionojë demokracia.

“Në SHBA, ne i zgjidhim mosmarrëveshjet në kutinë e votimit, jo me plumba. Fuqia për të ndryshuar vendiin duhet të qëndrojë gjithmonë në duart e njerëzve, jo në duart e vrasësve”,- tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti amerikan ka theksuar në mënyrë të përsëritur se pavarësisht mosmarrëveshjeve, se ku po shkon vendi dhe kush duhet ta udhëheqë atë, politika duhet të jetë një arenë për debat paqësor.

Presidenti Biden përfundoi fjalimin duke vënë theksin mbi rëndësinë e ruajtjes së vlerave të SHBA-së për të mbrojtur të ardhmen e vendit.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të përpiqen për një demokraci ku argumentet bëhen me mirëbesim dhe ku respektohet shteti i së drejtës. (Fatosi)