Kryetarja e KKIE-së: Lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar me rëndësi për procesin e integrimit të Shqipërisë
2024-07-12 15:30:44

Jorida Tabaku (Foto Atsh)

Jorida Tabaku (Foto Atsh)

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, njëherësh kryetare e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE), gjatë mbledhjes së këtij këshilli nënvizoi rëndësinë e procesit të integrimit, shkruan “ATSH”.

Ajo theksoi se Procesi i Berlinit u ideua si një urë bashkëpunimi dhe fuqizimi i një lidhjeje fizike dhe institucionale mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Sipas saj, është një proces integral i integrimit europian të vendit.

“Si pjesë e Procesit të Berlinit një rëndësi të veçantë kanë dhe angazhimet dhe detyrimet që lidhen me lëvizshmërinë dhe sigurisht kontrollin e territorit. Lëvizja në rajon me kartat ID është një nga lehtësimet e para që erdhi, por kjo sigurisht vjen me sfida për zbatimin e saj. Lufta kundër terrorizmit dhe plani i përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe lufta kundër krimit të organizuar janë dy elementë kyç që kanë rëndësi jo vetëm për procesin e Berlinit, por njëkohësisht dhe për kapitullin 24 si dhe strategjinë kundër krimit të organizuar 21-15”,- deklaroi Tabaku, duke theksuar rëndësinë që Policia e Shtetit mos të jetë krahu i djathtë i grupeve kriminale.

Nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Toni Gogu, tha se në 10 vitet e Procesit të Berlinit kurorëzimi me një plan rritje në Samitin e Tiranës, ishte mesazhi më i mirë për të gjithë, pasi po flitet për gjëra konkrete. (Irma)