Kryeministri Rama: 4.5 milionë turistë të huaj hynë në Shqipëri në 6 muaj
2024-07-11 16:00:54

Plazh ne Shqiperi (Foto Insajderi)

Plazh ne Shqiperi (Foto Insajderi)

Kryeministri Edi Rama, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, bëri të ditur se rreth 4.5 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë në 6 muajt e parë të vitit, një shifër 34% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan “ATSH”.

Kryeministri Rama tha se vendi ka hyrë në pikun e flukseve turistike.

“4.5 milionë vizitorë të huaj erdhën në Shqipëri në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ose +34% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë kemi hyrë në pikun e flukseve turistike, ku së bashku me operatorët privatë që çdo ditë prezantojnë ofertën shqiptare, por edhe me përgjegjësinë e jashtëzakonshme të ofrimit të cilësisë së shërbimit, si edhe me bashkitë e me gjithë institucionet publike jemi në koordinim për mbarëvajtjen e sezonit veror”,- theksoi kryeministri Rama.

Sipas tij, Shqipëria është e të gjithëve, pavarësisht qeverive që shkojnë e vijnë, dhe nga turistët që shkojnë në plazhe, në male, në qytete, fiton ekonomia e shqiptarëve. (Elona)