Kryediplomati Hasani: Shqipëria, e përkushtuar për rritjen e përgjegjshmërisë në axhendën e grave
2024-07-11 11:29:26

Ministri Hasani (Foto Atsh)

Ministri Hasani (Foto Atsh)

Ministri shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ishte i pranishëm në takimin e punës mbi “Gratë, paqen dhe sigurinë”, organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Në një postim në platformën “X”, ministri Hasani shkruan se Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar për rritjen e përgjegjshmërisë në agjendën e grave dhe rolit të tyre në paqe dhe siguri, citon “RTSH”.

Ministri shkruan se në takim, mes të tjerash, u diskutua edhe mbi rolin e grave në adresimin e sfidave të reja të sigurisë dhe luftimin e kërcënimeve terroriste.

“Në takimin e punës mbi gratë, paqen dhe sigurinë organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit diskutuam mbi rolin kritik të grave në adresimin e sfidave të reja të sigurisë, luftimin e kërcënimeve terroriste, trajtimin e çështjeve mjedisore, si ndryshimet klimatike dhe ndikimin ndaj teknologjive të reja”,- shkruan kryediplomati shqiptar. (Elona)