Ministrja Muzhaqi njofton hapjen e aplikimeve për Programin Kombëtar të Praktikave të Punës
2024-07-11 11:32:33

Ministrja Muzhaqi (Foto Oranews)

Ministrja Muzhaqi (Foto Oranews)

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, njoftoi hapjen e aplikimeve për thirrjen e nëntë të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës.

Ministrja Muzhaqi u shpreh se kjo është një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë e moshës 21-26 vjeç që dëshirojnë të zhvillojnë një praktikë 3-mujore pranë institucioneve të administratës shtetërore, njësive të vetëqeverisjes vendore dhe institucioneve të pavaruar, por njëherazi dhe një mundësi shumë e mirë për administratën publike për të thithur pranë vetes të rinj të talentuar, shkruan “ATSH”.

Për sa u përket pozicioneve të praktikës, ministrja bëri të ditur se këtë vit ofrohen mbi 1200 pozicione të lira në administratë, duke krijuar një platformë të rëndësishme për të rinjtë që të fitojnë përvojë praktike dhe të zgjerojnë aftësitë e tyre profesionale, por njëherazi të kenë mundësi të përfitojnë një kontratë pune 1-vjeçare në varësi të nevojave të institucioneve pritëse.

“Ne besojmë se përmes këtij programi, të rinjtë do të kenë mundësinë të integrohen më mirë në tregun e punës dhe të zhvillojnë aftësi të rëndësishme që do t’i ndihmojnë në karrierën e tyre të ardhshme”,- tha Muzhaqi. (Elona)