Zbulohen varre të tjera monumentale në Amantia, pikë referimi edhe për turistët
2024-07-10 15:07:42

Sit arkeologjik në Amantia (Foto Atsh)

Sit arkeologjik në Amantia (Foto Atsh)

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Vlorë njoftoi se turistët mund të vizitojnë edhe një grup varresh monumentale në hyrje të Parkut Arkeologjik të Amantias, të cilat kanë një arkitekturë të veçantë dhe histori mijëravjeçare, të dala në dritë nga gërmimet e fundit të kryera në këtë zonë, shkruan “ATSH”.

Përgjatë muajit qershor, një ekip arkeologësh dhe restauratorësh të DRTK Vlorë u angazhuan në gërmime arkeologjike, si dhe zbulimin e një varri tjetër monumental në hyrje të territorit të Parkut Arkeologjik të Amantias, varr i cili ndodhet në buzë të rrugës që lidh fshatrat Ploçë dhe Amonicë (Bashkia Selenicë).

Ekzistenca e këtij varri është pretenduar gjatë gërmimeve arkeologjike të shpëtimit të realizuara në vitin 2020, kur u zbulua varri i parë monumental në këtë territor.

Sipas rezultateve paraprake nga DRTK Vlorë, varri i zbuluar është përdorur për varrime nga shek. I deri në shek. II.

Brenda hapësirës së varrit monumental me blloqe guri është ndërtuar një varr me muraturë tulle. Nga elementet e tjerë të zbuluar, tërheq vëmendjen suvatimi i hapësirës së brendshme të dhomës së varrimit. Objektet e zbuluara janë kryesisht enë qeramike të fragmentuara, pak enë të plota, enë qelqi të fragmentuara, si dhe objekte metalike, ku një pjesë e madhe përbëhet nga gozhdë.

Përreth varrit monumental, u gjetën dhe dokumentuan edhe varre të tjera me tjegulla, të së njëjtës periudhë.

Krahas masave paraprake të konservimit, specialistët e DRTK Vlorë po hartojnë edhe një projekt restaurimi dhe muzealizimi për monumentin. (Elona)