Presidenti Zelensky: Vetëm BE, SHBA dhe Kina munden të negociojnë paqen me Rusinë
2024-07-10 17:49:26

Volodymyr Zelensky (Foto Msn)

Volodymyr Zelensky (Foto Msn)

Ukraina sheh vetëm BE-në, Kinën dhe SHBA-të si ndërmjetës në negociatat me Rusinë, deklaroi presidenti Volodymyr Zelensky, në një konferencë shtypi në Varshavë me kryeministrin polak, Donald Tusk, kur u pyet nëse kryeministri hungarez, Viktor Orban, mund të vepronte në një cilësi të tillë, shkruan “RTSH”.

Sipas presidentit ukrainas, ndërmjetësuesit mund të jenë vetëm aleanca serioze me një ekonomi që ndikon në Rusi ose vende me një ushtri të fortë.

“A ka shumë vende të tilla në botë? Jo shumë. Unë mendoj se të tilla janë SHBA-ja, Kina dhe Bashkimi Europian. Jo një vend i veçantë, por i gjithë Bashkimi Europian. Mund të jetë një mision i tillë ndërmjetësimi”,- tha Zelensky tha në një konferencë për shtyp.

Zelensky dhe Tusk pohuan se vizita e kryeministrit hungarez në Rusi ishte zgjedhja e tij e pavarur.

“Askush nuk ka të drejtë të vendosë për paqen e ardhshme dhe formën e saj në emër të Ukrainës dhe pa pjesëmarrjen e saj. Askush nuk ka të drejtë të flasë në emër të Polonisë apo BE-së në tërësi, pa marrëveshje të plotë me Ukrainën dhe me të gjithë prej nesh kur bëhet fjalë për bisedimet e mundshme me Rusinë”, tha kryeministri polak. (Elona)