Ministri Balla: Mirësjellja e policisë të jetë përshtypja e çdo udhëtari
2024-07-10 15:50:03

Ministri Balla (Foto Atsh)

Ministri Balla (Foto Atsh)

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, gjatë takimit me punonjës të Policisë Vendore dhe asaj Kufitare në Portin e Vlorës, deklaroi se Policia Kufitare është kontakti i parë dhe i fundit i çdo udhëtari me Shqipërinë, ndaj duhet të garantojmë që mirësjellja dhe buzëqeshja e tyre të jetë përshtypja e çdo vizitori, shkruan “ATSH”.

“Gjatë gjithë sezonit presim një numër të konsiderueshëm vizitorësh dhe punonjësi i Policisë Kufitare është i pari dhe i fundit moment i takimit me çdo të huaj, kështu që përshtypjen e parë dhe të fundit të çdo të huaji e vizitori, e kanë me Policinë Kufitare. Duhet të garantojmë që çdo pushues të ndihet i sigurt në bregdetin shqiptar, duket garantuar që çdo shkelës, kryesisht me mjete motorike ujore, mos t’i afrohen për asnjë moment plazheve. Perimetri i sigurisë të garantohet”,- tha ministri Balla.

Ministri kërkoi nga Policia Vendore, që me eksperiencën e fituar vitin e kaluar, të konsolidojë me rezultate konkrete luftën ndaj çdo lloj paligjshmërie e çdo forme kriminaliteti.

Drejtori i DVP-së nëVlorë, Ermal Muça, deklaroi se janë marrë të gjitha masat, në bashkëpunim me Drejtorinë e Kufirit, si në tokë edhe në det.

“Besoj se do të kemi një sezon të qetë. Kemi bashkërenduar punët dhe pushtetin vendor, Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, e çdo gjë do të shkojë mirë”,- tha ai. (Elona)