Ushtria izraelite avancon në qytetin e Gazës
2024-07-10 16:22:53

Gaza (Foto Rtsh)

Gaza (Foto Rtsh)

Ushtria izraelite ka avancuar më tej në zonat jugore dhe perëndimore të qytetit të Gazës, njoftuan Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF), citon “ATSH”.

“Ushtria izraelite nis operacionet kundër terrorizmit në zonë dhe u bëri thirrje civilëve të largoheshin”,- thuhet në deklaratën e IDF-së.

Trupat izraelite arritën në selinë e Agjencisë së OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) në qytetin e Gazës.

Radioja e ushtrisë raportoi për përleshje me anëtarë të armatosur të grupit militant palestinez Hamas.

Sipas raporteve të spitalit palestinez, të paktën 15 persona u vranë. Numri i viktimave mund të rritet ende pasi punonjësit e shpëtimit nuk ishin në gjendje të arrinin shumë zona të banuara për shkak të luftimeve.

Informacioni nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Ushtria izraelite ka avancuar fillimisht në pjesën veriore të zonës bregdetare të rrethuar gjatë luftës. (Elona)