Të martën nisi në Uashington samiti i NATO-s. Në kuadrin e 75-vjetorit të themelimit të kësaj organizate, ShBA-ja deklaroi se ky është "samiti më ambicioz që nga fundi i Luftës së Ftohtë". Megjithatë, ashtu si në tre vjetët e fundit, edhe samiti i kësaj here ka vijuar tre tema të vjetra, që janë forcimi i aftësive ushtarake, ndihma ndaj Ukrainës dhe plani i partneritetit global. Në një konferencë shtypi para takimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha: "Ne duhet të forcojmë bashkëpunimin me partnerët tanë në rajonin e Indo-Paqësorit" për të përballuar vendet si Kina. Sipas një komenti të Grupit Mediat të Kinës, NATO-ja po e përdor Kinën si një pretekst për të realizuar synimin e saj për të ndërhyrë në Azi-Paqësor dhe për të ruajtur hegjemoninë amerikane.
Foto:VCG
Si një “mbetje” e Luftës së Ftohtë dhe grupi më i madh ushtarak në botë, NATO-ja, që nga formimi i saj, ka qenë një mjet i ShBA-së për krijimin e konfrontimit nëpërmjet krijimit të aleancave dhe për kontrollin e vendeve të tjera. Në më shumë se një dekadën e fundit, ShBA-ja e ka zhvendosur fokusin strategjik global drejt Azi-Paqësorit dhe e konsideron Kinën si një konkurrente strategjike, duke u përpjekur të kapërcejë kufijtë e mbrojtjes në Europë dhe duke zgjatur duart e saj në Azi-Paqësor. “Ky është një prirje shumë e rrezikshme,” shkruhet në koment.
Nën “shkopin dirigjues” të ShBA-së, në deklaratat e viteve të fundit të NATO-s është spekuluar me teorinë e "kërcënimit prej Kinës", duke e trajtuar ekonominë e dytë më të madhe të botës si një "armik imagjinar" dhe duke i detyruar vendet në rajonin e Azi-Paqësorit të zgjedhin se cilën anë do të mbajnë. Tani liderët e Japonisë, Koresë së Jugut, Australisë dhe Zelandës së Re marrin pjesë rregullisht në samitet e NATO-s. ShBA-ja, së bashku me disa prej vendeve të tjera anëtare të Aleancës, nëpërmjet spekulimeve mbi çështjet e Detit të Kinës Jugore, të Tajvanit dhe të ashtuquajturën "liri e lundrimit", po nxisin kundërvëniet mes vendeve të Azi-Paqësorit, për të sheshuar rrugën për ndërhyrje ushtarake në këtë rajon.
Sipas komentit të CMG-së, megjithëse ShBA-ja po merr masa të njëpasnjëshme për të krijuar një "version të Azi-Paqësorit të NATO-s", faktikisht është e vështirë të ndërtohet një "rrethim" kundër Kinës në Azi, dhe po ashtu është edhe më pak e mundur që të formësohet një e ashtuquajtur “arkitekture e re e sigurisë” në rajonin.
Foto:VCG
Së pari, shumica e vendeve të rajonit as e pranojnë dhe as e mirëpresin këtë ide. NATO-ja e cilëson veten si një aleancë vlerash, por vendet e Azi-Paqësorit kanë sisteme e karakteristika të shumëllojshme kulturore, gjë që do të thotë se nuk mund ta pranojnë një NATO që promovon epërsitë e vlerave dhe institucioneve perëndimore. Pjesa dërrmuese e vendeve të Azi-Paqësorit e kundërshtojnë hegjemoninë dhe është e vështirë që "farat" e strategjisë së NATO-s për Azi-Paqësorin "të mbijnë në një tokë" që përgjithësisht e kundërshton luftën dhe fokusohet në bashkëpunimin për zhvillim.
Së dyti, edhe brenda NATO-s ka shumë zëra kundër një "versioni të Azi-Paqësorit" të saj. Anëtarët evropianë të NATO-s duan që organizata të fokusohet në çështjet e sigurisë së vetë Evropës. Këto vende besojnë se përdorimi i burimeve të tyre për rajonin e Azi-Paqësorit do të dobësojë funksionet e mbrojtjes së sigurisë së NATO-s në Evropë. Fuqitë tradicionale evropiane, si Gjermania dhe Franca, si dhe shumica e vendeve që iu bashkuan NATO-s pas Luftës së Ftohtë, mbajnë qëndrim ngurrues për praninë e shtuar të NATO-s në Azi-Paqësor. Presidenti francez Emmanuel Macron e ka përsëritur vazhdimisht se Evropa duhet të ndjekë "autonominë strategjike". Ai gjithashtu paralajmëroi publikisht vitin e kaluar se NATO-ja nuk duhet të zgjerohet përtej Atlantikut të Veriut.
Në të njëjtën kohë, pavarësisht spekulimeve për "kërcënimin prej Kinës", shumica e anëtarëve të NATO-s mbajnë marrëdhënie të qëndrueshme me Kinën, dhe pjesa dërrmuese e vendeve në rajonin e Azi-Paqësorit mendojnë se Kina është “spirancë” e qëndrueshmërisë dhe e lulëzimit rajonal, madje edhe botëror. Gjithashtu, edhe për vende si Japonia, Koreja e Jugut, Australia e Zelanda e Re është e vështirë për ta të heqin dorë nga bashkëpunimi praktik me Kinën për të ndjekur verbërisht kërkesat e ShBA-së, pa marrë parasysh interesat e veta.
Foto:VCG
“E ashtuquajtura ‘strategji e versionit të NATO-s në Azi-Paqësor’ është një plan për të provokuar ndarje, konflikt, e madje edhe luftë, gjë që i shërben vetëm hegjemonisë së ShBA-së. Ajo shkon përkundër rrymës së historisë e në mënyrë të pashmangshme do të përfundojë në dështim”, e përfundon komentin e vet CMG-ja.