Ministri Balla: Policia duhet të forcojë bashkëpunimin me qytetarët
2024-07-10 16:37:43

Ministri i Brendshem shqiptar (Foto Atsh)

Ministri i Brendshem shqiptar (Foto Atsh)

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, deklaroi se policia duhet të forcojë bashkëpunimin me qytetarin, pasi vetëm kështu rrit besimin e tyre te forcat e rendit.

Në një reagim në rrjetet sociale, përcjellë nga “ATSH”, ministri Balla bëri të ditur se çdo denoncim duhet trajtuar me angazhim maksimal, duke iu referuar rastit në Fier, ku një 23-vjeçar u ndalua pasi me mjetin e tij hyri në zonën e plazhit.

“Denoncimet apo ankesat e qytetarëve, në çdo formë, janë gjithmonë të mirëpritura. Policia e Shtetit duhet ta forcojë bashkëpunimin me qytetarët, t’i trajtojë me kujdes ankesat e tyre, sepse vetëm kështu rritet besimi i tyre te policia. Rasti i denoncimit nga një pushues i një mjeti që kishte hyrë në një plazh me pushues, çoi në identifikimin e shkelësit dhe ndëshkimin e tij sipas parashikimeve maksimale të Kodit Rrugor”,- theksoi ministri Balla.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier njoftoi se në lidhje me dy foto të publikuara në mediet sociale, për një automjet i cili ishte futur në një zonë me pushues, në bregdetin e plazhit të Darëzezës, Fier, u shoqërua shoferi dhe mjeti i tij, ndaj të cilit u morën masat e duhura ndëshkuese.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier falënderon dhe fton mediat e qytetarët që të denoncojnë rastet e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm. (Elona)