Delegacioni i Fierit viziton qytetin binjak kinez Lanzhou
2024-07-10 15:44:32

Me ftesë të palës kineze, nga data 8 deri më 9 korrik, një delegacion nga qyteti i Fierit, i kryesuar nga nënkryetari i bashkisë së këtij qyteti Andius Olldashi, vizitoi qytetin Lanzhou në Kinën Perëndimore dhe mori pjesë në Panairin e 30-të të Investimeve dhe Tregtisë të Lanzhou-t. 

Gjatë vizitës, delegacioni zhvilloi bisedime me zyrtarë të Lanzhou-t, vizitoi kompani të makinave elektrike dhe të mjekësisë tradicionale kineze, si edhe shijoi shfaqje me valle tradicionale kineze etj. Panairi i Lanzhou-t është një ekspozitë gjithëpërfshirëse ekonomike dhe tregtare ndërkombëtare në shkallë të gjerë në Kinën Perëndimore. Më shumë se 2 200 kompani vendase e të huaja morën pjesë në këtë edicion të panairit, duke arritur 1 325 projekte bashkëpunimi në investime me një vlerë kontratash prej afro 86.3 miliardë dollarë, duke përfshirë informacionin digjital, energjinë e re, prodhimin e pajisjeve dhe fusha të tjera. 

Lanzhou është një nyje e rëndësishme në Rrugën e lashtë të Mëndafshit, si edhe një qendër transporti e tregtare në Kinën Veriperëndimore. Në vitin 2016, Lanzhou dhe Fieri nënshkruan një marrëveshje binjakëzimi. 

Në korrik 2011, një delegacion prej gjashtë anëtarësh i qytetit të Fierit mori pjesë në Panairin e 17-të të Investimeve dhe Tregtisë të Lanzhou-t. Një delegacion kinez bëri një vizitë kthimi në Fier në shtator dhe nënshkroi një memorandum mirëkuptimi për zhvillimin e marrëdhënieve të binjakëzimit midis dy qyteteve. Në të njëjtën kohë, nënkryetari i bashkisë së Fierit Olldashi ndoqi aktivitetet kombëtare të trajnimit të zyrtarëve të shkëmbimeve në Lanzhou, gjatë së cilës ai studioi gjuhën e kulturën kineze me kohë të plotë në Universitetin e Lanzhou-t. Në korrik 2014, një delegacion nga Fieri mori pjesë në Panairin e 20-të të Investimeve dhe Tregtisë të Lanzhou-t.(Ziqi)