Policia e Shtetit: Shkelësit e sigurisë në bregdet do të ndëshkohen sipas ligjit
2024-07-10 15:51:55

Policia detare (Foto Atsh)

Policia detare (Foto Atsh)

Policia e Shtetit bëri të ditur se ndaj subjekteve të licencuara si operatorë turistikë dhe pushuesve me mjete private, që shkelin sigurinë e perimetrit në bregdet, janë aplikuar dhe do të aplikohen masa administrative me gjobë apo sanksione plotësuese, si bllokim i mjeteve lundruese, shkruan “ATSH”.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hartuar dhe po zbaton një plan të detajuar për garantimin e sigurisë në zonat detare e liqenore, duke vlerësuar bashkëpunimin me qytetarët dhe operatorët turistikë për të parandaluar dhe evituar çdo problematikë që mund të sjellë shkelja e normave dhe rregullave në fuqi.

Në kuadër të masave për sigurinë e sezonit turistik, prej vitit 2023 është ngritur dhe funksionon Njësia Policore Detare, si strukturë në varësi të Departamentit për Kufirin dhe Emigracionin, dhe që ka në përdorim 35 mjete lundruese tip “Jet-Ski”, me një efektiv prej 105 punonjësish, të trajnuar e certifikuar për përdorimin e tyre gjatë gjithë vijës bregdetare dhe në liqenet e Shkodrës dhe Pogradecit.

Gjithashtu, Drejtoritë Vendore të Policisë dhe Drejtoritë Vendore të Kufirit dhe Emigracionit kanë kryer verifikimin në terren të zbatimit të kërkesave ligjore nga subjektet që kanë lidhur kontratë dhe kanë në përdorim stacione plazhi, vendbazimet e mjeteve lundruese dhe korridoret e lëvizjes së tyre.

Policia e Shtetit është e vendosur të përmbushë detyrimet për të krijuar një ambient të sigurt në të gjithë hapësirën detare, nëpërmjet kontrolleve të vazhdueshme për zbatimin e ligjshmërisë dhe u bën thirrje të gjithë shtetasve që përdorin mjete lundruese turistike dhe të argëtimit, operatorëve turistikë dhe të gjithë subjekteve që kanë në përdorim stacione plazhi, të zbatojnë detyrimet ligjore në funksion të rritjes së sigurisë për të gjithë pushuesit vendas e të huaj. (Elona)