I dërguari i posaçëm kinez u bën thirrje palëve të konfliktit në Ukrainë të vetëpërmbahen
2024-07-10 17:34:54

Foto nga VCG

Geng Shuang, zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, përsëriti të martën thirrjen e vendit të tij ndaj palëve të konfliktit në Ukrainë që të tregohen të arsyeshme e të vetëpërmbajtura, të respektojnë në mënyrë efektive ligjin humanitar ndërkombëtar dhe të shmangin sulmet ndaj civilëve e infrastrukturës civile.

Në një fjalim në një seancë informimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Ukrainën, Geng theksoi se, që nga përshkallëzimi i plotë i krizës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, konflikti ka çuar në një numër të madh viktimash midis civilëve të pafajshëm e në dëmtimin dhe shkatërrimin e infrastrukturës, duke shkaktuar një krizë të madhe humanitare me efekte të mëdha përhapëse.

"Kohët e fundit, në vend që të ndalen, luftimet janë intensifikuar edhe më tej dhe herë pas here kanë ndodhur sulme brutale, të cilat kanë çuar në një numër të madh viktimash. Kina është thellësisht e shqetësuar lidhur me këtë. Ne e përsërisim thirrjen tonë që palët në konflikt të tregojnë arsye dhe vetëpërmbajtje, të respektojnë në mënyrë efektive të drejtën humanitare ndërkombëtare dhe të shmangin sulmet ndaj civilëve e infrastrukturës civile," tha zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB.

Duke vënë në dukje se nga konflikti dhe konfrontimi nuk ka fitues dhe se mjetet ushtarake nuk sjellin paqe të qëndrueshme, Geng theksoi se një armëpushim i hershëm dhe një zgjidhje politike janë në interes të të gjitha palëve dhe se përparësi është qetësimi i situatës, duke respektuar tre parimet, përkatësisht atë të moszgjerimit të fushëbetejës, të mospërshkallëzimit të luftimeve dhe të mosnxitjes së konfliktit nga asnjë prej palëve.

Geng u shpreh se për çështjen e Ukrainës, Kina ka mbajtur gjithmonë qëndrimin se duhet të respektohet sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve, duhet të respektohen qëllimet e parimet e Kartës së OKB-së, duhet t'u kushtohet rëndësi shqetësimeve të ligjshme të sigurisë të të gjitha vendeve e duhet të përkrahen gjithë përpjekjet për zgjidhjen paqësore të krizës.

"Ne u bëjmë thirrje palëve në konflikt të tregojnë vullnet politik dhe të nisin bisedimet e paqes sa më parë," tha Geng, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar që, bazuar në një pozicion objektiv e të paanshëm, të krijojë kushte të favorshme për ndalimin e luftës dhe të luajë një rol aktiv në këtë drejtim.

Kina do të vazhdojë të promovojë në mënyrë aktive bisedimet e paqes sipas mënyrës së vet dhe do të bëjë përpjekje të pandërprera e do të luajë një rol konstruktiv në promovimin e zgjidhjes politike të çështjes së Ukrainës, shtoi ai. (Çang Çuo)