Kina mohon akuzat për hezitim për t'u konsultuar me BE-në për tarifat e makinave elektrike
2024-07-09 14:28:07

CFP

CFP

Ministria e Tregtisë e Kinës tha të hënën, se vërejtjet e një zyrtari të Bashkimit Evropian, duke vlerësuar se Kina deri vonë nuk kishte kërkuar konsultime për tarifat e automjeteve elektrike, pavarësisht përpjekjeve të BE-së për t'u angazhuar prej muajsh, ishin "seriozisht në kundërshtim me faktet".

Kina ka shprehur kundërshtim të fortë, në raste dypalëshe dhe shumëpalëshe, që kur BE nisi hetimin e saj kundër subvencioneve për automjetet elektrike kineze në tetor 2023, tha një zëdhënës i ministrisë, në përgjigje të një hetimi mediatik që citonte Jorge Toledo Albinana, ambasadorin e BE në Kinë.

Zëdhënësi përmendi shkëmbimet dypalëshe për këtë çështje, përmes takimeve ballë për ballë, si edhe letrave midis drejtuesve të lartë dhe në nivele ministrore, gjatë muajve të fundit.

“Kina ka treguar sinqeritetin e saj maksimal”, tha zëdhënësi, duke shtuar se Kina shpreson që pala evropiane të bëjë përpjekje të përbashkëta, të shprehë sinqeritetin e saj, të shtyjë përpara procesin e konsultimit dhe të arrijë një zgjidhje të pranueshme reciproke, sa më shpejt të jetë e mundur.

Kina beson me vendosmëri se masat proteksioniste tregtare janë të dëmshme për zhvillimin e industrive të gjelbërta globale dhe bashkëpunimin në industrinë e automjeteve. Të gjitha vendet duhet të punojnë së bashku, për të promovuar transformimin e gjelbër të ekonomisë, tha zëdhënësi.

Kina kundërshton me vendosmëri çdo praktikë unilateraliste dhe proteksioniste, që politizon ose armatizon çështjet tregtare, tha zëdhënësi, duke vënë në dukje se në përgjigje të çdo veprimi që shpërdoron rregullat dhe dëmton Kinën, ky vend do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e veta.(Xu Guang)