Hamasi pret përgjigje nga Izraeli për propozimin për armëpushim
2024-07-09 14:04:45

Foto:VCG

Foto:VCG

Pesë ditë pasi pranoi një pjesë të rëndësishme të planit amerikan për t’i dhënë fund luftës në Gazë, Hamasi është në pritje të një përgjigjeje nga Izraeli, thanë dy përfaqësues të grupit militant palestinez, shkruan “Panorama”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se negociatat do të vazhdonin këtë javë, por ai nuk përmendi një afat kohor.

Protestuesit ndërkaq kanë bllokuar rrugët në mbarë Izraelin, ndërsa u shënuan nëntë muaj nga fillimi i luftës.

Propozimi amerikan me tre faza për territorin palestinez u paraqit në fund të majit nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe për të po ndërmjetësohet nga Katari dhe Egjipti.

Plani synon t’i japë fund luftës dhe të mundësojë lirimin e rreth 120 izraelitëve që ende mbahen peng nga Hamasi. Pranimi i propozimit do të sillte pauzën e parë në luftime që nga nëntori dhe do të përgatiste terrenin për bisedime të mëtejshme.

Foto:VCG

Foto:VCG

Nga rreth 120 pengjet që nuk janë liruar, Izraeli thotë se rreth 40 prej tyre mund të jenë të vdekur dhe është shtuar frika se ky numër mund të rritet, ndërsa lufta zgjatet.

Konflikti ka marrë jetën e më shumë se 38 mijë palestinezëve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë që kontrollohet nga Hamasi.

Lufta nisi pas sulmit nga grupi militant ndaj shtetit hebre më 7 tetor 2023, duke vrarë 1200 persona e marrë peng 250 të tjerë, kryesisht civilë izraelitë. (Fatosi)