“Dhuro zërin”, Timo Flloko me poezinë e Kadaresë për bibliotekën audiodigjitale për fëmijët që nuk shikojnë
2024-07-08 16:25:43

Aktori i njohur shqiptar Timo Flloko iu bashkua nismës “Dhuro zërin” për pasurimin e bibliotekës audiodigjitale për fëmijët që nuk shikojnë, shkruan ATSH.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastriliu në një postim në rrjetet sociale.

Ajo u shpreh se “aktori Timo Flloko me poezinë “Kohë e pamjaftueshme” të Ismail Kadaresë solli një nga thesaret e letërsisë shqipe në bibliotekën audiodigjitale për fëmijët që nuk shikojnë, duke iu bashkuar nismës “Dhuro zërin””.

Ministrja Manastriliu i bën apel të gjithëve të dhurojnë zërin e tyre, duke u shprehur se nëse dhuron zërin vetëm një herë, ai mund të dëgjohet mijëra herë.

Nismës “Dhuro zërin” i janë bashkuar emra të njohur të artit dhe kulturës shqiptare, që me zërin e tyre kanë pasuruar bibliotekën audiodigjitale për fëmijët që nuk shikojnë.(Fatosi)