Ekspresi hekurudhor Kinë-Evropë sheh rritje të shpejtë
2024-07-08 17:23:40

Foto nga VCG

Ekspresi hekurudhor Kinë-Evropë pati një rritje të konsiderueshme në operime. 7746 udhëtime trenash kaluan përmes Portit Horgos dhe Kalimit Alataw, në Rajonin Autonom Xinjiang Uygur të Kinës veriperëndimore, në gjysmën e parë të vitit 2024, duke shënuar rritje vjetore prej 8.2%.

Porti Horgos i Xinjiangut dhe Kalimi Alataw, trajtojnë 40% të transportit hekurudhor të mallrave Kinë-Evropë. Ndërsa vëllimi i trenave të mallrave Kinë-Evropë dhe shkëmbimet tregtare vazhdojnë rriten, gama e mallrave të transportuara diversifikohet. Fillimisht i kufizuar vetëm në artikuj e përditshmërisë dhe mineraret, tani përfshin pajisje në shkallë të gjerë, automobila, bateri litiumi dhe produkte të tjera.

Dy portet në Xinjiang lidhin Kazakistanin me korridorin perëndimor të hekurudhës ekspress Kinë-Evropë. Meqenëse binarët hekurudhorë standard të Kinës janë 85 milimetra më të gjera se ato të Kazakistanit, kontejnerët e transportuar nga trenat duhet të ringarkohen në stacionet kufitare. Për të rritur efikasitetin e rimbushjes së kontejnerëve dhe përmirësuar efikasitetin e tranzitit, punëtorët hekurudhorë nga Kina dhe Kazakistani zbatojnë masa të ndryshme.

"Fillimisht, na u deshën rreth 60 sekonda për të ndryshuar një kontejner. Tani mjaftojnë vetëm 40 sekonda. Nëse çdo automjet mban dy kontejnerë, ne mund të kursejmë rreth 40 minuta për të ngarkuar një tren. Përfshirë operacionet e tjera, dikur duheshin rreth 2 orë e 10 minuta për të përfunduar të gjithë operacionin e ndërrimit të trenit. Tani nevojitet vetëm një orë e gjysmë", tha Xie Shuyong, një operator vinçash në Kalimin Alataw. 

Xinjiangu ka filluar ndërtimin e "Hekurudhës Dixhitale Urumqi", duke rritur aftësitë e shkëmbimit të kontejnerëve. Ata miratuan gjithashtu operacionet pa letra, për shkëmbimin e informacionit midis departamenteve të doganave dhe hekurudhave, duke thjeshtuar në mënyrë efektive procedurat për trenat e mallrave.

Yang Rui, zëvendësdrejtori i qendrës komanduese të prodhimit të sigurisë në Kalimin Alataw tha, "Stacioni rezervon paraprakisht binarët, për të siguruar ardhjet dhe nisjet e pandërprera të trenave. Shpejtësia e qarkullimit të trenit në dalje vazhdon të përshpejtohet, duke reduktuar kohën në 5 orë. Proceset e transferimit të informacionit të ngarkesave në hyrje janë përshpejtuar gjithashtu me 4 orë."

Që nga fillimi në vitin 2011, Hekurudha Express Kinë-Evropë ka mbërritur në 223 qytete në 25 vende evropiane dhe ka lidhur më shumë se 100 qytete në 11 vende aziatike.