Xi Jinping-u takohet me kryeministrin hungarez
2024-07-08 15:29:08

Foto nga Xinhua

Të hënën paradite, presidenti kinez Xi Jinping u takua në Pekin me kryeministrin hungarez Viktor Orban.

Xi Jinping-u tha se dy muaj më parë, ai bëri një vizitë të suksesshme shtetërore në Hungari. "Ne shpallim ngritjen e marrëdhënieve Kinë-Hungari në nivelin e partneritetit strategjik gjithëpërfshirës në epokën e re, duke i sjellë një domethënie të re historike 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve këtë vit dhe duke i dhënë një shtysë të fortë zhvillimit të marrëdhënieve me cilësi të lartë ndërmjet të dy vendeve," u shpreh Xi. 

Më tej ai vuri në dukje se javën e ardhshme do të mbahet në Pekin plenumi i tretë i Komitetit Qendror të 20-të të Partisë Komuniste të Kinës. Sipas tij, Kina do të vazhdojë të thellojë reformën dhe do të nxitë zhvillimin me cilësi të lartë e hapjen me nivel të lartë ndaj botës, gjë që do të ofrojë mundësi të reja e do të sjellë vrull të ri në bashkëpunimin kino-hungarez. Të dyja palët duhet të ruajnë shkëmbimet e nivelit të lartë, të thellojnë besimin reciprok politik, të intensifikojnë komunikimin e koordinimin strategjik, të vazhdojnë të mbështesin me vendosmëri njëra-tjetrën, të forcojnë bashkëpunimin praktik në fusha të ndryshme, të ndërtojnë bashkërisht "Një brez, një rrugë" me cilësi të lartë, të vazhdojnë të pasurojnë përmbajtjet e marrëdhënieve të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës kino-hungarez dhe të krijojnë më shumë përfitime për popujt e të dy vendeve.

Në vijim Xi e uroi Hungarinë për marrjen e presidencës së radhës të Bashkimit Evropian. Ai theksoi se nuk ka konflikte gjeopolitike ose konflikte themelore interesi ndërmjet Kinës dhe Evropës. Marrëdhëniet Kinë-BE kanë rëndësi strategjike e ndikim global dhe duhet të ruajnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm e t'u përgjigjen së bashku sfidave globale. "Viti i ardhshëm shënon 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe BE-së. Të dyja palët duhet t'i përmbahen pozicionimit të saktë si partnerë dhe motivit të përbashkët të bashkëpunimit, të vazhdojnë të promovojnë hapjen e dyanshme, të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të kontribuojnë për promovimin e paqes, qëndrueshmërisë dhe zhvillimit botëror. Shpresojmë që Hungaria, si vend kryetar i radhës i BE-së, do të luajë një rol aktiv në promovimin e zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-BE," u shpreh presidenti kinez.

Orbani theksoi nga ana e tij se dy muaj më parë, presidenti Xi Jinping bëri një vizitë historike e të suksesshme në Hungari. Gjatë dy muajve të fundit, të dyja palët kanë zbatuar me ndërgjegje rezultatet e rëndësishme të kësaj vizite dhe miqësia e besimi i ndërsjellë ndërmjet tyre janë bërë më të forta, duke hedhur një themel të fortë për zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve ndërmjet Hungarisë dhe Kinës. "Përballë situatës së tanishme të turbullt ndërkombëtare, Kina jo vetëm që e do paqen, por ka shpallur edhe një sërë nismash konstruktive e të rëndësishme, duke dëshmuar me veprime konkrete se është një forcë e rëndësishme stabilizuese në promovimin e paqes botërore. Hungaria i vlerëson lart rolin e ndikimin e Kinës dhe është e gatshme të intensifikojë komunikimin e koordinimin strategjik me të, përkrah forcimin e bashkëpunimit me Kinën, kundërshton 'qarqet e vogla' e kundërvënien mes kampeve dhe është e gatshme ta përdorë kryesimin e radhës të BE-së si një mundësi për të promovuar në mënyrë aktive zhvillimin e shëndetshëm të marrëdhënieve BE-Kinë," u shpreh kryeministri hungarez.

Të dy palët zhvilluan një komunikim të thellë edhe mbi krizën në Ukrainë. Orbani foli për vizitat e tij të fundit në Ukrainë dhe Rusi, ndërsa Xi vlerësoi përpjekjet e kreut të qeverisë hungareze për të promovuar zgjidhjen politike të krizës ukrainase dhe shtjelloi pikëpamjet dhe propozimet përkatëse të Kinës.

Xi Jinping-u theksoi se është në interes të të gjitha palëve armëpushimi dhe përfundimi i luftës sa më shpejt të jetë e mundur, duke gjetur një zgjidhje politike. Komuniteti ndërkombëtar duhet të krijojë kushte e të ofrojë ndihmë për të dy palët që të rifillojnë dialogun dhe negociatat e drejtpërdrejta. "Vetëm kur të gjitha fuqitë e mëdha të ushtrojnë energji pozitive në vend të energjisë negative, ky konflikt mund të shohë agimin e një armëpushimi sa më shpejt të jetë e mundur," u shpreh presidenti Xi. Sipas tij, Kina ka promovuar në mënyrë aktive bisedimet e paqes dhe inkurajon e mbështet të gjitha përpjekjet që kontribuojnë në zgjidhjen paqësore të krizës. Përpjekjet e Kinës dhe Hungarisë janë në të njëjtin drejtim, vuri në dukje Xi, duke shtuar se Kina është e gatshme të vazhdojë të mbajë komunikimin me Hungarinë dhe palët përkatëse. (Çang Çuo)