Zjarri në Llogora, autoritetet shqiptare: Ligji për piromanët, i qartë dhe i rreptë
2024-07-06 17:41:22

Zjarri ne Llogora (Foto Top Channel)

Zjarri ne Llogora (Foto Top Channel)

Disa vatra zjarri ndezën zonën e Llogorasë dhe Dhërmiut, që fatmirësisht u vunë shpejt nën kontroll nga forcat zjarrfikëse.

Drejtori i përgjithshëm i Zjarrfikses, Arben Carai, deklaroi se dyshimet janë se zjarri ishte i qëllimshëm. Sipas tij, autorët e vendosjes së zjarrit, do të vendosen përpara përgjegjësisë, shkruan “ATSH”.

“Këto vatra zjarri patjetër që kanë dorën e njeriut dhe nuk do të ketë asnjë lloj tolerimi. Autorët do të vendosen para ligjit. Policia po heton dhe do t’i vendosë autorët përpara ligjit. Vepra penale është shumë e rëndë. Ne bashkë me Policinë e Shtetit s’do të ndalemi për të ndaluar këtë katastrofë”,- tha ai.

“Dy vatra zjarri paralele, një në Dhërmi dhe një në Llogora, fatmirësisht u shuan në një kohë shumë të shpejtë, pasi u vunë në lëvizje të gjitha strukturat, me ndërhyrje edhe nga ajri. Situata është nën kontroll dhe nuk rrezikohet Parku Kombëtar i Llogorasë”, tha ai.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi përmes një postimi në rrjetet sociale se përgjegjësit për ndezjen e zjarreve do të ndëshkohen.

“Vatra e zjarrit në Qafën e Llogorasë është arritur të shuhet, pas përpjekjeve të përbashkëta të forcave zjarrfikëse, Forcave të Armatosura, Administratës së Zonave të Mbrojtura, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile. Mbi 40 efektivë të tjerë nga FA-ja iu bashkuan aksionit dhe bënë krehjen e zonës, për izolimin përfundimtar të vatrës. Një thirrje për të gjithë ata banorë, që me veprimet e tyre vënë në rrezik pasurinë kombëtare: Do të përballen me ligjin, i cili është i qartë dhe i rreptë për piromanët”,- shkroi ministri Peleshi. (Irma)