Ministrja Kumbaro (Foto Atsh)
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, prezantoi në Kuvendin e Shqipërisë ndryshimet në ligjet për mjedisit, biodiversitetit, menaxhimit të integruar të mbetjeve dhe cilësisë së ajrit.
“Ndryshimet në këto pesë ligje bashkohen në dy ndryshimet thelbësore: ashpërsimi i gjobave me 30% krahasuar me ligjet aktuale dhe ndryshimi i natyrës juridike të sanksioneve kundrejt kundravajtjeve të kryera në dëm të mjedisit”,- deklaroi ministrja Kumbaro, citon “ATSH”.
Sipas saj, procesi i ekzekutimit të gjobave aktualisht vështirësohet për shkak të ankimimit administrativ dhe gjyqësor duke zgjatur shumë procesin dhe duke humbur qëllimin për të cilin vendoset gjoba. Ndaj, tha Kumbaro, masat administrative kthehen në titull ekzekutiv.
Ministrja iu referua të dhënave nga procesi i këshillimit kombëtar, ku qytetarët kërkonin në masë dërrmuese ashpërsimin e gjobave për kundërvajtjet ligjore.
Ministrja solli në vëmendje edhe një direktivë të re të Bashkimit Europian, e cila i konsideron kundërvajtjet ligjore të natyrës penale.
“Këto propozime të qeverisë përputhen edhe me daljen e një direktive të re europiane, përmes së cilët u kërkohen vendeve të BE-së që masat administrative në kundërvajtjet e mjedisit t’u shtohen sanksione penale të qenësishme me ndëshkime domethënëse të natyrës penale. Ndryshimet që ne propozojmë nuk janë të natyrës penale, por e sjell në vëmendje për të theksuar rreshtimin e qasjes sonë me atë europiane kur bëhet fjalë për ndotjen ndaj mjedisit”,- deklaroi ministrja Mirela Kumbaro. (Irma)