Zbulohet piktura mijëravjeçare, më e vjetra në botë
2024-07-05 13:04:18

Foto nga CMG

Një studim tregoi se piktura e cila paraqet një derr të madh të kuq, i rrethuar nga tre figura njerëzore, e gjetur në murin e një shpelle në Indonezi, daton rreth mbi 51.000 vjet më parë, duke e bërë atë veprën më të vjetër figurative të artit në botë, raporton “ATSH”.

“Edhe pse modest në dukje, vizatimi tregon qartë një histori që përbën dëshminë më të vjetër të rrëfimit, që i paraprin pikturave të shpellave të Lascaux dhe Chauvet në Francë”,- shpjegoi arkeologu Adam Brumm në një konferencë për shtyp.

Rekordi i mëparshëm mbahej nga një skenë gjuetie e identifikuar nga i njëjti ekip studiuesish në vitin 2019, në një shpellë indoneziane, mosha e së cilës atëherë u vlerësua në afro 44.000 vjet më parë.

“Zbulimi i fundit, në një shpellë afër Maros-Pangkep, në ishullin Sulavesi, shënon herën e parë që kemi tejkaluar barrierën e 50.000 viteve”,- tha arkeologu Maxime Aubert, bashkautor i studimit.

Për ta bërë këtë punë, studiuesit përdorën një metodë të re që përdor lazer dhe softuer për të gjeneruar një hartë të mostrave të shkëmbinjve.

“Kjo teknikë nuk lejon të datojmë drejtpërdrejt pikturën, por shtresat e ndryshme të mineraleve që janë grumbulluar mbi të me kalimin e kohës. Studiuesit arritën të hyjnë në shtresën më të afërt me pikturën, duke përcaktuar saktësisht moshën minimale të saj”,- shpjegoi Maxime Aubert.

Ekipi fillimisht testoi teknikën e re në mbajtësin e mëparshëm të rekordit.

Ajo përcaktoi se skena e gjuetisë ishte në fakt të paktën 48.000-vjeçare, rreth 4000 vjet më e vjetër sesa u përcaktua fillimisht.

Ekipi më pas testoi metodën me lazer në një pikturë pa datë, e parë për herë të parë në shpellën në ishullin Sulavesi në vitin 2017, e cila rezultoi të datonte rreth 51.200 vjet më parë. (Irma)