Greqia prezanton javën gjashtëditore të punës
2024-07-05 10:49:16

Foto nga VCG

Autoritetet në Greqi kanë prezantuar javën me gjashtë ditë pune, që synon produktivitetin “turbocharging”, një metodë për të rritur fuqinë dhe efikasitetin, shkruan “ATSH”.

Qeveria greke bëri të ditur se masa, për një javë pune 48-orëshe, është e nevojshme për shkak të zvogëlimit të popullsisë dhe mungesës së punëtorëve të kualifikuar.

Masa, e cilësuar si “barbare” nga sindikatat, hyn në fuqi nga e hëna.

“Nuk ka asnjë kuptim. Kur pothuajse çdo vend tjetër i civilizuar po miraton një javë katërditore, Greqia vendos të shkojë në anën e kundërt”,- tha Akis Sotiropoulos, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Sindikatës së Nëpunësve Civilë “Adedy”.

Sipas qeverisë greke, nisma u bë e nevojshme nga rreziqet e dyfishta të një popullsie në tkurrje dhe mungesa e punëtorëve të kualifikuar.

Rreth 500.000 grekë, kryesisht të rinj të arsimuar, vlerësohet të kenë emigruar që nga kriza e borxhit afër dekadës që shpërtheu në fund të vitit 2009.

“Skema gjashtëditore, do të zbatohet vetëm për bizneset private që ofrojnë shërbime gjatë gjithë kohës”,- thanë zyrtarët grekë.

Sipas javës së zgjatur të punës, stafi në industri dhe objekte prodhuese të zgjedhura do të ketë mundësinë të punojë dy orë shtesë në ditë ose një turn shtesë tetë orësh, duke u shpërblyer me një tarifë shtesë prej 40% në pagën ditore të shtuar.

Secila prej zgjedhjeve, pretendon qeveria e qendrës së djathtë, do të zgjidhë çështjen e mospagimit të punonjësve për orët jashtë orarit, duke trajtuar gjithashtu problemin e përhapur të punës së padeklaruar. (Irma)