Parlamenti bullgar refuzoi mbështetjen e kryeministrit të emëruar
2024-07-05 12:58:18

Foto nga Anadolu

Parlamenti bullgar refuzoi të mbështesë kryeministrin e emëruar Rosen Zhelyazkov, duke i dhënë fund procesit të formimit të një kabineti.

Zhelyazkov u propozua nga GERB-UDF, partia më e madhe në Parlament, dhe njoftoi se do të ishte gati me përbërjen dhe formimin e qeverisë sapo presidenti Rumen Radev t’i jepte mandatin më 1 korrik, për të tentuar të formonte një kabinet të ri qeveritar, shkruan “ATSH”.

138 deputetë votuan kundër Zhelyazkov si kryeministër, 98 deputetë e mbështetën dhe dy abstenuan.

E vetmja forcë parlamentare që votoi në favor të Zhelyazkov, përveç GERB-UDF, ishte Lëvizja për të Drejta dhe Liri (MRF), por 14 nga deputetët e saj votuan kundër dhe një abstenoi.

Të mërkurën e kaluar, njëri nga dy kryetarët e MRF-së, Delyan Peevski, u tha gazetarëve se presidenti i nderit i partisë, Ahmed Dogan, i kishte rekomanduar grupit parlamentar që mos ta mbështeste qeverinë e GERB, mirëpo, Peevski e ka bërë të qartë se nuk do ta respektojë atë rekomandim. (Irma)