FMN i ofron Ukrainës 2 miliardë euro për shpenzimet e qeverisë
2024-07-05 10:52:12

Foto nga VCG

Kryeministri Denys Shmyhal njoftoi se Ukraina ka marrë mbi 2 miliardë euro (2.2 miliardë dollarë) fonde nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

“Kësti është pjesë e një programi kredie në vazhdim që arrin në rreth 15 miliardë euro. Ai do të përdoret për të financuar shpenzimet jetike të qeverisë si shpenzimet e mirëqenies dhe pagat për punonjësit e shtetit”,- tha Shmyhal në një postim në “Telegram”, citon “ATSH”.

Sipas të dhënave zyrtare ukrainase, që nga nisja e konfliktit me Rusinë, vendi ka marrë më shumë se 80 miliardë euro ndihmë nga partnerët e huaj për shpenzimet qeveritare.

Qeveria ukrainase bëri të ditur se nuk është në gjendje të fillojë shlyerjen e kredive dhe po synon të ngrijë pagesat e ardhshme ose të ristrukturojë borxhin e saj.

Aleatët ndërkombëtarë të Ukrainës kanë ngrirë tashmë shlyerjet e kredive të qeverisë deri të paktën në vitin 2027.

Sipas llogaritjeve të “The Economist”, barra e borxhit të Ukrainës pritet të rritet në rreth 94% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) deri në fund të vitit. (Irma)