TIA: Aeroporti i Rinasit priti mbi 1 milion pasagjerë gjatë qershorit
2024-07-05 11:56:46

Aeroporti i Rinasit (Foto Rtsh)

Aeroporti i Rinasit (Foto Rtsh)

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës bëri të ditur se gjatë muajit qershor pati 1.067.405 pasagjerë, me një rritje prej vjetore prej 61.6% krahasuar nga e njëjta periudhë e një viti më parë, shkruan “RTSH”.

Periudha nga janari deri në qershor 2024 ka gjithashtu një rritje të jashtëzakonshme, duke mirëpritur 4.790.368 pasagjerë, krahasuar me 2.894.358 pasagjerë gjatë së njëjtës periudhë në vitin 2023, me një rritje prej 65% nga viti i kaluar.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Tejkalimi i 1 milion pasagjerëve dhe më shumë se 5850 lëvizje avionësh në një muaj të vetëm, nuk është vetëm një dëshmi e punës së palodhur dhe përkushtimit të të gjithë punonjësve dhe profesionistëve të TIA-s, por vërteton se investimet thelbësore të bëra në infrastrukturat ajrore, zgjerimi i terminalit dhe pajisjet e sigurisë, janë duke dhënë rezultatet e pritshme. Në TIA, të gjithë janë të përkushtuar për të ofruar standardet më të larta në funksionimin e aeroportit, duke respektuar rregulloret e sigurisë nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar”,- deklaroi Piervittorio Farabbi, drejtori Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

TIA ka zgjeruar destinacionet për udhëtarët si në Europë dhe me destinacionet e largëta. Disa prej destinacioneve të reja janë: Nisë në Francë, Rodos dhe Heraklion në Greqi, Barcelonë dhe Valencia në Spanjë, Bukureshti në Rumani, Bodrum, Antalia dhe Stamboll në Turqi, Abu Dabi në Emiratet e Bashkuara Arabe etj. (Irma)