Investimet e huaja (Foto Atsh)
Banka e Shqipërisë bëri të ditur se gjatë tremujorit të parë të vitit investimet e huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, në masën 23%, shkruan “ATSH”.
Të dhënat e tremujorit të parë të vitit konfirmojnë tendencat e viteve të fundit, si sektori i industrisë nxjerrëse të hidrokarbureve dhe sektori financiar.
Investimet e huaja direkte janë në rritje të vazhdueshme, të mbështetura sidomos nga sektori i pasurive të paluajtshme, por edhe nga vlerat e larta të fitimeve të riinvestuara në disa sektorë të ekonomisë.
Investimet e huaja në sektorin financiar zunë 21% të totalit të investimeve, hidrokarburet në masën 13%, energjetika në masën 5% dhe komunikacioni në masën 5%.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar investimet e huaja direkte shënuan vlerën e 1.49 miliardë eurove, në rritje me 8.7% krahasuar me një vit më parë.
Pasuritë e paluajtshme sollën pothuajse 22% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte për vitin e kaluar. Ato arritën vlerën e 325 milionë eurove, në rritje me 12% më shumë krahasuar me vitin 2022. (Irma)