Ambasadori Gonzato: BE-ja mbështet zbatimin e Strategjisë së Mbrojtjes Sociale në Shqipëri
2024-07-05 12:39:55

Foto nga ATSH

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, së bashku me qeverinë shqiptare, falë mbështetjes financiare të Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe ekspertizës së UNICEF-it, nisi Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes Sociale 2024-2030.

Gjatë takimit të zhvilluar në Tiranë u diskutua se si të promovohet më së miri një shoqëri shqiptare gjithëpërfshirëse dhe të sigurohet që qytetarët më të cenueshëm të marrin mbrojtjen që meritojnë, shkruan “ATSH”.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, deklaroi se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë drejt përafrimit me standardet e unionit, për një sistem modern, të qëndrueshëm të mbrojtjes sociale për të gjithë.

“Si kudo tjetër në Europë, qytetarët shqiptarë presin të kenë shërbime publike me cilësi të lartë, të aksesueshme, efikase dhe pa korrupsion. Pranimi në BE përfshin jo vetëm përafrimin e ligjeve dhe rregulloreve, por edhe respektimin e vlerave të saj thelbësore. BE-ja është e gatshme të mbështesë Shqipërinë në çdo hap në zbatimin e saj të Strategjisë së Mbrojtjes Sociale”,- deklaroi ambasadori Gonzato. (Irma)