BB per Ballkanin Perendimor (Foto Atsh)
Takimi i Grupit Drejtues për Programin e Transportit të Sigurt dhe të Qëndrueshëm (SSTP), që u mbajt në selinë e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në Londër, ra dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të mund të përfitojnë nga qasja në financim dhe asistencë teknike për të rritur sigurinë dhe qëndrueshmërinë e transportit në katër kategori: Siguria hekurudhore; rrugore; pikat e kalimit kufitar; vendosja e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe të zgjuara të lëvizshmërisë, shkruan “ATSH”.
Kryesuar nga Xiaoqing Yu, drejtoreshë e Bankës Botërore, dhe bashkëkryesuar nga Holger Schroeder, Shef i Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Europian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR), dhe Matej Zakonjšek, drejtor i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, takimi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit strategjik dhe zgjidhjeve inovative në avancimin e infrastrukturës së transportit të rajonit, në përputhje me Axhendën e Gjelbër të BE-së.
Programi për Transport të Qendrueshëm dhe të Sigurt (SSTP) i financuar nga BE-ja dhe Banka Botërore, mbështet iniciativa si përmirësimet e sigurisë rrugore, infrastrukturën alternative të karburantit dhe sistemet inteligjente të transportit. Ai synon uljen e kohës së udhëtimit, rritjen e sigurisë, ndotjen më të ulët, përmirësimin e aksesit në treg, rritjen e tregtisë, krijimin e vendeve të punës dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në.
BB bën të ditur se programi lehtëson rimëkëmbjen afatgjatë të rajonit, gjelbërimin e transportit, integrimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët e Ballkanit Perëndimor. (Irma)