Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit për lekun nga niveli 3.25% në 3%.
Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko, deklaroi se Këshilli Mbikëqyrës e gjykoi të nevojshëm një lehtësim të qëndrimit të politikës monetare, duke synuar të krijojë kushte sa më të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve, raporton “ATSH”.
Sipas tij, ecuria pozitive e ekonomisë dhe rënia e inflacionit ishin arsyet kryesore të këtij vendimi.
Guvernatori Sejko tha se ky lehtësim ilustron fleksibilitetin e politikës monetare kombëtare dhe adreson rreziqet afatshkurtra mbi inflacionin që burojnë nga goditjet e ofertës.
Sejko theksoi se kjo lëvizje është në kah të njëjtë me lehtësimin e qëndrimit të politikës monetare të ndërmarrë nga Banka Qendrore Europiane në qershor, duke parandaluar pasoja të padëshirueshme që ky veprim mund të kishte në kursin e këmbimit”. (Irma)