CMG-ja: Rigjallërohen marrëdhëniet e partneritetit Kinë-Kazakistan
2024-07-04 16:36:14

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Ndër marrëdhëniet e jashtme të Kinës, ato me Kazakistanin janë marrëdhënie të partneritetit të përhershëm e të gjithanshëm strategjik. Gjatë 32 vjetëve pas vendosjes së lidhjeve diplomatike ndërmjet tyre, Kina dhe Kazakistani kanë krijuar bashkësinë e fateve të përbashkëta me miqësi të përhershme dhe besim të ndërsjellë të lartë.

Gjatë vizitës shtetërore të presidentit kinez Xi Jinping në Kazakistan nga 2 deri më 4 korrik, liderët e të dy vendeve zhvilluan bisedime frytdhënëse, bënë një deklaratë të përbashkët dhe nënshkruan dhjetëra marrëveshje bashkëpunimi, duke çuar përpara marrëdhëniet kino-kazakistanase.

Besimi i ndërsjellë politik është baza e bashkëpunimit Kinë-Kazakistan. Gjatë bisedimeve me presidentin kazakistanas Kassym-Jomart Tokayev, presidenti Xi Jinping ritheksoi "katër këmbënguljet", duke përfshirë këmbënguljen në mbështetjen ndaj njëri-tjetrit për problemet me interes thelbësor për të dy palët. Presidenti Tokayev e falënderoi Kinën për përkrahjen lidhur me sovranitetin, pavarësinë e tërësinë territoriale të Kazakistanit dhe u shpreh se Kazakistani i përmbahet me vendosmëri parimit të "një Kinë".

Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar është energjia e marrëdhënieve kino-kazakistanase. Kina është partnerja më e madhe tregtare e Kazakistanit dhe Kazakistani është vendi ku u paraqit për herë të parë nisma "Një brez, një rrugë". Deri tani, të dy palët kanë ndërtuar rrjetin e gjithanshëm të transportit dhe bashkëpunimi dypalësh lidhur me energjinë e re, të dhënat e mëdha, tregtinë elektronike ndërkufitare e fusha të tjera ka pasur rezultate të dukshme.

Për një kohë të gjatë, Kina dhe Kazakistani kanë zhvilluar bashkëpunim të ngushtë në kornizën e OKB-së, të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh), të mekanizmit Kinë-Azi Qendrore etj. Këtë herë liderët e dy vendeve theksuan se do të forcojnë më tej bashkëpunimin në organizatat shumëpalëshe për të mbrojtur zhvillimin paqësor botëror e multilateralizmin. (Fani)