Irani dënon agresionet e fundit të Izraelit në Gaza
2024-07-04 13:09:06

Foto nga VCG

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane ka dënuar veprimet e rënda dhe brutale të ushtrisë izraelite kundër palestinezëve në Gazë, duke i cilësuar ato si të papërshkrueshme dhe duke theksuar se heshtja ndaj këtyre mizorive është kundër ndërgjegjes së njerëzimit.

Naseer Kanaani kritikoi ashpër administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, dhe mbështetësve të tjerë perëndimorë të Izraelit në mes të dhunës së vazhdueshme në Gaza, duke pohuar se ata janë po aq fajtorë sa entiteti okupues sionist, citon “RTSH”.

“Heshtja dhe mosveprimi përballë këtyre krimeve dhe brutalitetit dënohen nga ndërgjegjja e njerëzimit dhe gjykimi hyjnor”,- theksoi Kanaani.

Konflikti në Gaza ka çuar në humbje shkatërruese, me të paktën 37.925 viktima në radhët e palestinezëve, kryesisht gra dhe fëmijë.

Pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, veprimet e vazhdueshme të Izraelit në enklavën e rrethuar kanë tërhequr një dënim të gjerë global.

Agjencitë e OKB-së paralajmërojnë se mbi një milion palestinezë në Gaza mund të përballen me urinë e rëndë deri në mes të korrikut, pasi kriza e urisë përkeqësohet për shkak të bllokadës së vazhdueshme të  ndihmës humanitare. (Elona)