Turqi, protestat kundër sirianëve, arrestohen 474 persona
2024-07-04 11:08:05

Foto nga VCG

Më shumë se 470 persona janë arrestuar në Turqi, pas protestave kundër sirianëve që u mbajtën në disa qytete të cilat u nxitën nga ndalimi i një siriani që dyshohet se ka abuzuar seksualisht me një të mitur në Kayseri.

Të zemëruar nga lajmi i krimit, banorët turq të Kayserit iu vunë të dielën flakën dyqaneve që zotërohen nga sirianët, duke kërkuar që ata të dëbohen nga vendi, bën të ditur “RTSH”.

Aktet e dhunës u përhapën edhe në provincën jugore të Hatait. Si pasojë e tyre u dëmtuan banesa, biznese dhe automjete që iu përkasin sirianëve.   

Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaja, akuzoi ata që ishin përgjegjës për këto akte se po vepronin në kundërshtim me vlerat njerëzore.

“Rreth 474 persona u ndaluan pas veprimeve  provokuese kundër sirianëve”,- bëri të ditur Yerlikaja në një postim në rrjetin “X”.  

Dhuna u dënua edhe nga presidenti Recep Tayyip Erdogan. “Djegia e banesave dhe e rrugëve si dhe aktet vandale janë të papranueshme. Asgjë nuk mund të arrihet duke nxitur ksenofobinë dhe urrejtjen për refugjatët”, - u shpreh Erdogan.  

Ndërkaq, aktet e dhunës ndaj sirianëve në Turqi shkaktuan protesta në qytetin e Afrinit në veriperëndim të Sirisë që kontrollohet nga Ankaraja zyrtare. Të paktën shtatë persona humbën jetën si pasojë e përplasjeve me armë mes protestuesve të armatosur dhe forcave turke. 

Në Turqi jetojnë më shumë se 3.5 milionë sirianë, të cilët kanë shkuar atje si refugjatë që pas shpërthimit të luftës civile në vendin e tyre. Shumica e sirianëve gëzojnë një status të përkohshëm mbrojtjeje dhe shumë kanë arritur të marrin nënshtetësinë turke. (Elona)